Deputeti Albin Kurti - Foto: Facebook

Albin Kurti Mungon në Gjykimin për Lotsjellësin

Seanca kundër katër deputetëve të Vetëvendosjes për gazin lotsjellës të hedhur në seancën e Kuvendit të Kosovës u shty, pasi munguan të akuzuarit Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi.

Seanca është dashur të fillonte në orën 9:00, por nisi me gjysmë ore vonesë, pasi si edhe në seancat e kaluara kanë ardhur vetëm Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

Të pranishëm ishin edhe dëshmitarët dhe të dëmtuarit- deputete të PAN-it Blerta Deliu e Flora Brovina, si dhe dëshmitari Bekim Haxhiu.

Për shkak të mungesës së Albin Kurtit e Donika Kadaj- Bujupit, seanca u shty më 22 nëntor. Ndaj Kurtit e Donika Kadaj-Bujupit u përsërit urdhëresa për sjellje të tyre me detyrim në gjykatë.

Kurti e Kadaj-Bujupi munguan edhe në seancën e 13 shtatorit, ndërsa edhe atë gjyqtari Beqir Kalludra lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të tyre në gjykatë.

Nëse Kurti e Kadaj-Bujupi refuzojnë sjelljen me detyrim në gjykatë, ata mund edhe të arrestohen.

Në seancën e aluar kishte munguar edhe deputetja dëshmitare  Flora Brovina, për të cilën gjithashtu ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.

Prokuroria pretendon se Deliu, Brovina e Haxhiu, kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga gazi lotsjellës i aktivizuar në Kuvend nga kolegët e Vetëvendosjes.

Katër deputetët e Vetëvendosjes akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Albin Kurti ka munguar edhe në seanca të tjera të këtij gjykimi, ndërsa gjyqtari Beqir Kalludra ndaj tij ka lëshuar fletarrestim, të cilin e kishte pezulluar në kohën e zgjedhjeve për shkak se Kurti ishte kandidat për kryeministër i Vetëvendosjes.

http://kallxo.com/paralajmerohet-urdherarrest-dhe-paraburgim-per-albin-kurtin/

Aktakuza ndaj deputetëve të Vetëvendosjes për hedhje të lotsjellësit u ngrit më 16 dhjetor të vitit 2015.