Albin Kurti Fushatë në Komunën e Aida Dërgutit

Kandidati për kryetar të Vetëvendosjes Albin Kurti ka vazhduar prezantimin e platformës së tij në qytetin e Vushtrrisë.

Në një postim të tij në Facebook,  Kurti ka folur për mesazhet që ka përçuar tek aktivistët gjatë takimeve.

Aty ai ka përmendur se lëvizja duhet të bëjë hapa të menjëhershëm në pozicionin e gruas. “Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave “ka shkruar Kurti.

Ai ka shtuar se për të garantuar që gratë trajtohen mirë në Vetëvendosje partia do themeloj një komision të veçantë disiplinorë i cili do i trajtoj ankesat. Në këtë postim Kurti ka premtuar edhe hartimin e një kodi të veçantë për mirësjellje dhe përdorim të gjuhës në VV.

Në tubimin e sotëm të Kurtit nuk ka marrë pjesë Aida Dërguti, e cila dha dorëheqje nga pozitat partiake pas publikimit të një bashkëbisedimi në një grup në Viber në të cilin ajo jepte një cilësim ofendues Kurtit.

Por në tubim ishte i pranishëm kandidati i VV-së për kryetar të Vushtrrisë, Besim Muzaqi.

Postimi i plotë:

Në Vushtrri u takuam me aktivistët e Lëvizjes sonë. Atje së bashku me ta diskutuam për Platformën tonë gjatë mandatit të ardhshëm si kryetar i Lëvizjes. Gjithnjë gjatë bisedës me aktivistë e kuptojmë gatishmërinë e tyre për përmirësimin e organizatës sonë.

Po e ripostojmë këtu njërën prej pikave të platformës, atë mbi barazinë gjinore.

Çështja gjinore

Organizata jonë përballet me të njëjtat probleme që i përjeton edhe shoqëria jonë e gjerë. Ndër problemet më shqetësuese, është diskriminimi gjinor. Këtë problem nuk mund të pretendojmë ta zgjidhim në shoqëri, nëse nuk e zgjidhim në organizatë.

Jam i vetëdijshëm se nuk ekzistojnë receta përfundimtare për zgjidhjen e këtij problemi, i cili ekziston edhe në vendet më të zhvilluara e të emancipuara të botës. Megjithatë, nuk mund të rrimë pasivë, si Lëvizje, ndaj fyerjes dhe abuzimit që nënkuptohet prej pabarazisë.

Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave.

Hapa fillestarë, por urgjentë në këtë drejtim janë këto:

– Funksionalizimi i komisionit disiplinor, ose themelimi i një komisioni për çështje gjinore, i cili specializohet në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, dhe në disiplinimin e tyre. Seksizmi në momentin që bëhet cenim i integritetit fizik e moral të dikujt, duhet ndëshkuar pa u falur.

– Edukimi i vazhdueshëm përmes Sekretariatit të Gruas Aktiviste në bashkëpunim me Sekretariatin për Formim Ideopolitik, duke mbajtur takime vetëdijësuese me aktivistë në secilën qendër, trajnime e kurse për gjuhë të huaja, të folurit në publik, duke shpërndarë materiale të përkthyera, e duke nxitur shkrimin dhe diskutimin e temave që lidhen me çështjet gjinore brenda e jashtë organizatës.

– Çdo anëtare e re, pra rishtas e anëtarësuar në VETËVENDOSJE!, për një periudhë fillestare tremujore ta ketë një vajzë ose grua anëtare të mëhershme të Lëvizjes si mentore.

– Nxitja e takimeve të aktivisteve në formën e “sisterhoods” (motëri) në të gjitha Qendrat, me synim krijimin e një komunikimi më të shpeshtë e më cilësor mes tyre, ku fuqizojnë zërin e tyre kolektiv brenda në Lëvizje, shkëmbejnë përvoja, edukojnë njëra-tjetrën, edukojnë edhe djemtë e burrat, si edhe ndikojnë në gjithë Lëvizjen.

– Kod i Sjelljes për të gjithë anëtarët, me theks të veçantë për djemtë dhe burrat, mbi komunikimin dhe shprehjet e papranueshme. Gratë dhe vajzat duhet të kenë ambient pune e diskutimi të sigurt e pa siklet.

– Do të synohet të mbërrihet sa më parë barazia gjinore në punësim, në administratën e Lëvizjes. Në mandatin e ardhshëm Lëvizja duhet ta rishikojnë statutin edhe nga këndvështrimi feminist dhe të kthehet në model për respektimin e barazisë gjinore.