Nga një seancë ku katër deputetët ishin në gjykatë | Foto: KALLXO.com

Albin Kurti e Donika Kadaj Mbeten në Paraburgim

Avokatët e Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit të caktuar sipas detyrës zyrtare kërkuan sot që të mbrojturve të tyre t’u hiqet masa e paraburgimit.

Hedije Ademi, avokatja e Kurtit, të cilin ai nuk e pranon si mbrojtëse të tij në arsyetimin e kërkesës për zëvendësim të paraburgimit me një masë më të lehtë tha se Kurti e ka shkelur masën e arrestit shtëpiak nga gëzimi për fitoren e kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, pa menduar për pasojat.

Edhe Afrim Salihu, avokati i Donika Kadaj-Bujupit, kërkoi zëvendësimin e masës së paraburgimit me arrest shtëpiak, ose paraqitje në polici për të mbrojturën e tij.

Salihu tha se Donika Kadaj-Bujupi është deputete e zgjedhur dhe ka angazhime profesionale në Kuvend dhe Lëvizjen Vetëvendosje dhe obligime familjare në të cilat e pengon masa e paraburgimit.

Prokurori Valdet Gashi tha se nuk ka ndonjë propozim konkret lidhur me kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve, duke thënë se për lirimin ose jo nga paraburgimi më së miri do të vendosë gjykata.

Gjykata pastaj refuzoi kërkesat e mbrojtësve.

“Aktvendimi për caktim te paraburgimit mbetet ne fuqi dhe ndaj tij është paraqitur ankesë dhe lënda pritet të dërgohet në Gjykatë të Apelit dhe fillimisht presim shqyrtimin e ankesës”, konstatoi gjykata.

Seanca e radhës së gjykimit të 4 deputetëve u caktua më 7 dhjetor. Në të pritet të dëshmojnë Kadri Veseli, Bekim Haxhiu, Naser Osmani e Armend Zemaj.

Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu e Faton Topalli akuzohen për përdorim të armës ose mjetit të rrezikshëm dhe pengim të personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare.

Të akuzuarit ishin  arrestuar gjatë nëntorit e dhjetorit të vitit 2015.

Seanca fillestare ishte mbajtur më 6 janar 2016.

Pas leximit të aktakuzës, deputetët Kurti, Kadaj-Bujupi dhe Haxhiu nuk ishin deklaruar për fajësinë, ndërsa deputeti Topalli ishte deklaruar i pafajshëm.

Megjithëse nuk u deklaruan për fajësinë, deputetët aktakuzën e kundërshtuan duke e cilësuar politike.