Albert Krasniqi: Deputetët që Nuk Votojnë Duhet të Ndëshkohen Edhe Financiarisht
Monitoruesi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas mos-pjesëmarrjes në votim të deputetëve për mocionin në Interpelancën për vdekjen e Astirt Deharit.
“Mos pjesëmarrja në votim është shmangie nga përgjegjësia dhe përfaqësimi i qytetarëve. Nëse nuk jeni për apo kundër, mund të abstenoni e jo të bllokoni vendimmarrjen në Kuvend. Për këta deputetë duhet të parashihen ndëshkime, jo vetëm me votë por edhe financiare”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë që një mënyrë tjetër për ta rregulluar këtë çështje është përmes Rregullores së re të Punës së Kuvendit, ku mund të parashihet që deputeti i cili nuk merr pjesë në votim, por që është prezent në seancë, vota t’i llogaritet me automatizëm si abstenim.