Albana Morina u Rrëfen Deputeteve Largimin e Saj nga Puna

Gjatë takimit me deputetet, Albana Morina falënderoi emisionin “Jeta në Kosovë” për hulumtimin e rastit të saj, diçka që, sipas saj, mediat e tjera nuk e kanë bërë.

Albana Morina ka rrëfyer para deputeteve Blerta Deliu-Kodra, Lirije Kajtazi dhe Shukrije Bytyqi betejën e saj gjyqësore me ish-punëdhënësin e saj “ProCredit Bank”, të cilën e ka fituar në shkallën e parë dhe pret ta fitojë edhe në Apel.

NDËRLIDHUR

Gjatë këtij takimi Morina ka falënderuar emisionin “Jeta në Kosovë” për guximin dhe vullnetin për të hulumtuar rastin e saj, diçka që, sipas saj, mediat e tjera nuk e kanë bërë.

“Në qoftë se një media e caktuar për shkak të një reklame e cila del në ditë nuk është në gjendje me bo një hulumtim ose nuk është në gjendje me transmetu qoftë një letër të hapur, të përgatitur prej anës tonë, atëherë qysh ajo mundet me më bind mu që ajo është e pavarur politikisht. Kjo ka qenë për mua tmerruese. Për fat të mirë, RTK-ja ka qenë e vetmja që e ka transmetu storjen të cilën e ka përgatitë BIRN, Jeta në Kosovë, të cilët i falënderoj. Kanë qenë të vetmit të cilët kanë pranu me hulumtu rastin dhe me i hy kësaj sfide”, tha ajo.

Albana Morina ka fituar rastin në instancën e parë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, “ProCredit Bank” detyrohet që Albana Morinën ta kthejë në punë dhe t’ia kompensojë pagat nga momenti i largimit nga vendi i punës, tatimin në ATK dhe kontributet në Trustin Pensional.

Albana Morina Fiton Gjyqin Ndaj ‘ProCredit Bank’

E deputetet i dhanë mbështetje asaj.

Deputetja Blerta Deliu-Kodra tha që rasti i Albanës do të jetë pikë reference në fjalimin e saj javën e ardhshme kur gratë deputete do të organizojnë një debat për të drejtat e punëtorëve dhe shkeljet e këtyre të drejtave.

“Do ta kemi javën tjetër një debat për të drejtat e punëtorëve, prandaj unë po mendoj që rasti i juaj ka me qenë, të paktën unë ta kem njërin prej pikënisjeve të fjalimit tim, se çka do të thotë kur dikush është i vendosur në të drejtën e vet, kur është i bindur që kjo e drejtë është në anën e tij, kur ky mund dhe kjo luftë shpaguhet me rikthimin në vendin e vet të punës”, tha deputetja Deliu-Kodra.

Sipas deputeteve, diskutimi i sotëm me Albanën u ka ndihmuar atyre që në të ardhmen të punojnë në plotësim-ndryshimin e legjislacionit për raste të tilla, nëse ka nevojë.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Lirije Kajtazi, tha se plotësim-ndryshimi i Ligjit të ri për Avokatin e Popullit ia mundëson këtij institucioni që të mbikëqyre edhe sektorin privat.

“Në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Avokatin e Popullit i kemi dhënë të drejtë Avokatit të Popullit që ta mbikëqyrë edhe sektorin privat pikërisht për shkak të ankesave me të cilat jemi përballë. Disa herë ne si komision kemi marrë ankesa ku të punësuar kërkojnë të drejtat e punës, diskriminohen në lloj-lloj forma”, tha në mes tjerash deputetja Kajtazi.

Ky takim është realizuar me kërkesën e deputetes Blerta Deliu-Kodra.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin gjyqësor të Albana Morinës. Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.

06 Shkurt 2017 - 21:33

Taulant Osmani 06/02/2017 - 21:33
NDËRVEPRIMI0

Albana Morina u Rrëfen Deputeteve Largimin e Saj nga Puna

by Taulant Osmani
NA NDIQNI

Send this to a friend