Gjykimi për vrasjen e rreshterit të Policisë, Shemsi Gashi - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: I Vetmi Gabim i Imi Është që Pas Vrasjes Nuk e Lajmërova Policinë

Në gjykimin e rihapur për vrasjen e rreshterit të Policisë, Shemsi Gashit, është dhënë fjala përfundimtare.

Shkak për rihapjen e këtij gjykimi ishte bërë fjala përfundimtare e dhënë nga i akuzuari Vesel Gjinovci dhe për shkak të disa paqartësive të cilat ishin paraqitur, me ç’rast trupi gjykues kishte vendosur t’ia revokonte pranimin e fajësisë të akuzuarit Vesel Gjinovci dhe kishte vendosur që ta hapte përsëri shqyrtimin gjyqësor.

Prokurori i çështjes, Armend Hamiti, në fjalën përfundimtare deklaroi se ai edhe më tutje qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë para rihapjes së këtij shqyrtimi gjyqësor me disa plotësime për të akuzuarin Vesel Gjinovci, të cilit Gjykata ka vendosur që t’ia revokojë pranimin e fajësisë. Ai tha se tani janë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë ndërsa në raport me të akuzuarit Adonis e Robert Gashi, prokurori e ka bërë rikualifikimin e veprës penale dhe tashmë këta dy persona i akuzon për dhënien e ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.

“Qëndroj pranë fjalës përfundimtare të dhënë më parë. Pjesa tjetër mbetet e njëjtë me fjalën përfundimtare siç e kam thënë në seancën e parafundit. Duke pasur parasysh se është bërë revokimi i pranimit të fajësisë për të akuzuarin Vesel Gjinovci, në rastin konkret janë plotësuar elementet e veprës penale vrasje e rëndë” tha prokurori.

Sipas prokurorit pas administrimit të të gjitha provave është arritur që të zbardhet edhe motivi dhe ekzekutuesit e vrasjes për çka thotë se ka qenë për shkak të një kontesti pronësor dhe sipas tij është arritur të vërtetohet edhe fakti se të akuzuarit e kishin planifikuar qysh më parë vrasjen e rreshterit Gashi.

Avokati Skender Musa, mbrojtësi i Vesel Gjinovcit, i kërkoi Gjykatës që me rastin e matjes dhe shqiptimit të dënimit për të mbrojturin e tij trupi gjykues të ketë për bazë rrethanat lehtësuese në raport me të mbrojturin e tij.

Avokati ndër të tjera përmendi faktin se i mbrojturi i tij qysh në fazat para penale në Polici e ka pranuar fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë dhe kërkoi nga Gjykata që të marrë për bazë edhe bashkëpunimin dhe gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë. Ai i kërkoi Gjykatës që në kuadër të këtyre rrethanave të mbrojturit të tij t’ia zbuste dënimin.

Kurse vetë i akuzuari Vesel Gjinovci, i cili e ka pranuar fajësinë qysh në fazën e shqyrtimit fillestar, deklaroi se ndjehet thellë i penduar për vrasjen e kryer.

“Jam penduar shumë për atë që ka ndodhur. Kam qenë i mashtruar dhe i detyruar. I kërkoj falje familjarëve dhe juve si Gjykatë dhe shpreh keqardhje për atë që ka ndodhur”, tha vetë i akuzuari Vesel Gjinovci.

http://kallxo.com/vesel-gjinovci-penduar-tregon-planin-per-vrasjen-e-policit-shemsi-gashi/

Avokati Behar Ejupi, i cili në këtë çështje e mbron të akuzuarin Kujtim Bejiqi, u shpreh se për mbrojtjen deklarata e të akuzuarit Vesel Gjinovci është krejtësisht e papranueshme dhe kërkoi nga Gjykata që të mos ia falë besimin pasi që sipas tij me atë deklaratë në asnjë rrethanë nuk është arritur të vërtetohet se cili ka qenë roli i të mbrojturit të tij.

Sipas avokatit, nëse i mbrojturi i tij shpallet fajtor atëherë duhet të shpallet i tillë vetëm në raport me mosdeklarimit të veprës penale e assesi për pjesëmarrje apo bashkëkryerje në vrasje.

Edhe vetë i akuzuari Kujtim Bejiqi u deklarua i pafajshëm në raport me veprën e cila i vihet në barrë, ndërsa për mosraportimin e veprës penale pas vrasjes së rreshterit Shemsi Gashi tha se ka qenë një gabim të cilin e ka bërë.

“Gjithçka që ka thënë për mua nuk është e vërtetë. Unë e them me përgjegjësi të plotë se në lidhje me vrasjen e tanimë të ndjerit Shemsi Gashi nuk kam ditur dhe nuk kam ndihmuar asgjë. Sa i përket kësaj unë e konsideroj veten fajtor vetëm se pasi që ka ndodhur vrasja nuk kam lajmëruar Policinë e Kosovës. Ky është gabimi im i vetëm që kam bërë”, tha i akuzuari Kujtim Bejiqi.

Mbrojtësi i Ramadan Gashit, avokati Berat Tmava, i dorëzoi Gjykatës fjalën përfundimtare në mënyrë të shkruar, duke deklaruar se qëndron prapa fjalës të cilën e ka paraqitur në formë të shkruar.

Kurse Mexhit Syla, mbrojtësi i Mujë Gashit, tha se edhe pas deklaratës së Vesel Gjinovcit për të dhe të mbrojturin e tij asgjë nuk ka ndryshuar. Përkundrazi, ai tha se me anë të kësaj deklarate është vërtetuar fakti se i mbrojturi i tij askënd nuk e ka shtyrë në kryerjen e veprës penale. Avokati madje tha se ka pritur që prokurori do të hiqte dorë nga ndjekja penale ndaj klientit të tij.

E për mbrojtësin e Agron Gashit, avokatin Haxhi Millaku, Prokuroria ka dështuar që në çfarëdo forme të paraqesë prova direkte, indirekte, materiale apo verbale me të cilat do të vërtetohej dyshimi i bazuar mirë se klienti i tij e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Andaj kërkoi nga Gjykata që ndaj të tij të nxjerre aktgjykim lirues.

Edhe mbrojtësja e Adonis Gashit, avokatja Florie Dervinja, tha se si mbrojtje nuk e pranojnë rikualifikim për veprën penale të ndihmës pasi që sipas saj asnjë nga dëshmitarët e dëgjuar të cilët i ka përmendur Prokuroria në fjalën përfundimtare, nuk e implikojnë të mbrojturin e saj.

Avokati Fanol Krasniqi kërkoi nga Gjykata që në mungesë provash të mbrojturin e tij Robert Gashi ta lirojë nga akuza e dhënie së ndihmës në kryerjen e veprës penale ndërsa në raport me akuzën për armëmbajtje avokati deklaroi se për të njëjtën vepër akuzohet edhe babai i të akuzuarit për çka tha se e ka pranuar fajësinë.

Mentor Neziri, avokati i Vesel Bunjakut, u shpreh se ndonëse i mbrojturi i tij qysh në fazat e mëhershme e ka pranuar veprën penale të dhënies së ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë ka vërejtje në fjalën përfundimtare të prokurorit dhe tashmë nuk pajtohet me akuzat se i mbrojturi i tij ia ka përgatitur armën Vesel Gjinovcit dhe se i njëjti në ditën kritike t’i ketë ofruar me veturë tek vendi i ngjarjes, andaj ai i propozoi trupit gjykues që t’i marrë për bazë vetëm ato veprime inkriminuese të cilat janë përshkruar në fjalën përfundimtare të prokurorit me datë 29 nëntor të vitit të kaluar ndërsa veprimet që përshkruhen tani të mos i marrë për bazë për shkak se këto veprime nuk i ka pranuar i mbrojturi I tij.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datën 26 shkurt.

http://kallxo.com/gruaja-e-policit-te-vrare-flet-per-kercenimet-para-vrasjes/

Rreshteri Shemsi Gashi u vra mëngjesin e 25 marsit 2015 rrugës për në zyrën e tij.

Hetimet e Prokurorisë së Prishtinës kanë përjashtuar mundësinë që vrasja të ketë motiv punën të cilën Gashi e kishte kryer në Policinë e Kosovës.

Gashi u vra në lagjen “Mati” të Prishtinës.

Ramadan Gashi, Muja Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku akuzohen për planifikimin e vrasjes së Shemsi Gashit, ndërsa për vrasjen e tij ngarkohen Vesel Gjinovci e Kujtim Bejiqi.

Vesel Gjinovci, njëri nga të akuzuarit në një nga seancat e kaluara e ka pranuar fajësinë për këtë vrasje si dhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, për vrasjen e Gashit, Vesel Gjinovcit e Kujtim Bejiqit u ishin premtuar 5 mijë euro.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.