I pandehuri Naim Gashi flet për rastin e sulmit ndaj drejtorit të Arsimit të Lipjanit - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari: Më Thanë së Imri Ahmeti Urdhëroi Largimin Tim nga Puna

Gjatë seancës, i akuzuari deklaroi se i kishin thënë se ndërprerja e kontratës së tij ishte urdhëruar nga kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, pasi i njëjti ia kishte premtuar dikujt tjetër pozitën e administratorit në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” në Janjevë.

Gashi deklaroi se “komandant Luli”, i cili ishte mik i Hasanit, kishte kërkuar nga ai që të takoheshin për të biseduar lidhur këtë çështje.

Sipas tij, ai person, mbiemri i të cilit është i panjohur, i kishte thënë që të mos i bënte problem Hasanit, ngase nuk ishte faji i tij për ndërprerjen e kontratës.

“Gjatë takimit ka kërkuar nga unë që të më tregojë se Rasimin e ka urdhëruar kryetari i Komunës, Imri Ahmeti, për të më larguar mua ngase i ka premtuar dikujt tjetër për atë pozitë”, tha i akuzuari.

Më tej, ai shtoi se nëse qëllimi i tij do të kishte qenë privimi nga jeta i ndokujt, ai do ta vriste Ahmetin, e jo Hasanin.

“Nëse kisha marrë vendimin me vra dikë, e kisha vra Imriun”, tha i akuzuari.

Po ashtu, ai mohoi të ketë pasur armë në brez në momentin kur ka hyrë në zyrën e Hasanit, si dhe mohoi ta ketë kërcënuar ndonjëherë.

Në seancën e kaluar, i akuzuari kishte propozuar që Imri Ahmeti të ftohej në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatë, por ky propozim u refuzua nga trupi gjykues me arsyetimin se nuk është relevante për çështjen në fjalë.

Sipas aktakuzës, Naim Gashi më 11 tetor të vitit 2016, gjatë kohës që Hasani ishte duke qëndruar në zyrën e tij, ka hyrë në zyrë dhe e ka mbyllur derën me kyç.

Aktakuza thotë se Gashi ka nxjerrë nga brezi revolen dhe i është drejtuar Hasanit me fjalët “mos lëviz se të vras”.

Mirëpo, i dëmtuari ka arritur që t’ia largojë dorën dhe duke e kapur nga mbrapa e ka larguar nga zyra.

Njëjtë u deklarua edhe i dëmtuari gjatë marrjes në pyetje, ku për më tepër ai shtoi se me të dalë nga zyra përmes forcës, i akuzuari ka arritur ta fusë revolen në pjesën e përparme të belit.

Më pas, pas një konfrontimi në korridor, i akuzuari ka arritur të largohej nga objekti i Komunës përmes shkallëve emergjente.

Për këtë prokuroria e ngarkon Naim Gashin me veprën penale sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

KALLXO.com ka raportuar edhe për seancën e kaluar, ku dha dëshminë e tij i dëmtuari i rastit.

http://kallxo.com/drejtori-arsimit-akuzuari-tha-ta-marr-shpirtin/