Gjykimi për vrasjen në lokalin "Amsterdam" | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Vrasjen në ‘Amsterdam’: Veprimin e Bëra pa Dashje

Është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ku Gent Selimi akuzohet për vrasjen e Luan Bektashit në klubin “Amsterdam” në Lagjen “Emshir” të Prishtinës, ndërsa Isuf Drejiqi dhe Besim Ahmeti akuzohen për pjesëmarrje në rrahje.

Në mbrojtjen e tij, i akuzuari Gent Selimi i cili gjendet në paraburgim, ka ngushëlluar familjen e të ndjerit duke theksuar se akti i kryer ka ndodhur pa qëllim.

“Ngushëllime familjes, veprimin të cilin e kam ndërmarrë, e kam ndërmarrë pa dashje”, tha Selimi.

Në këtë gjykim, i pranishëm në sallë ishte edhe i biri i të ndjerit Rinor Bektashi.

Ndërkaq, mbrojtësja e Selimit, avokatja Sadije Mjekiqi, i bëri të ditur trupit gjykues se familja e Gentit vazhdimisht ka tentuar t’i shprehë ngushëllime familjes Bektashi, por një gjë e tillë ende nuk është arritur.

Më tutje, Mjekiqi tha se në aktakuzë nuk është cekur se kush e ka filluar përleshjen, me çfarë ka filluar dhe kush tjetër ka pësuar lëndime nga kjo përleshje.

Përveç kësaj, avokatja shprehu dyshimet e saja lidhur me vdekjen e të ndjerit, e cila sipas saj ndodhi 58 orë pas marrjes së plagëve.

“Pse ky person nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra? A vdiq si pasojë e mjekimit të vonuar? Po ashtu është bërë operimi i plagës dhe prapë nuk ia ka dalë me mbijetu”, tha Mjekiqi.

Ndërsa prokurori Feti Tunuzliu, në fjalën e tij përfundimtare theksoi se provat e administruara tanimë kanë vërtetuar dispozitivin e aktakuzës.

Më tutje, ai i propozoi gjykatës që të gjithë të akuzuarit ti shpallë fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen dhe ata t’i dënojë sipas ligjit.

Avokatja e së dëmtuarës, Shpresa Rexhepi, në fjalën e saj tha se i ndjeri Bektashi ishte sulmuar në vendin e tij të punës, ku si pasojë e gjakderdhjes masive ka ardhë deri tek vdekja e tij, kështu duke lënë pas në vuajtje familjen e tij.

Në bazë të aktakuzës, në natën kritike të 30 marsit të vitit 2013, në klubin “Amsterdam” në lagjen Emshir, Gent Selimi ka privuar nga jeta tani të ndjerin Luan Bektashi.

Pas një mosmarrëveshjeje, kishte filluar përleshja në mes të dy grupeve, me ç’rast ka arritur deri tek vdekja e tani të ndjerit Bektashi.

I akuzuari Selimi, sipas aktakuzës, ka sulmuar me thikë tani të ndjerin Bektashi, ku si rezultat i ka prerë arterien, venën femorale të majtë dhe degët e tyre regjionale, prerje këto të cilat janë shoqëruar me gjakderdhje masive dhe shok hemorragjik.

Prokuroria pretendon se Luan Bektashi ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkaq, dy të akuzuarit e tjerë, Drejiqi dhe Ahmeti, sipas aktakuzës, fillimisht kanë hedhur gota, shishe, karrige e tavolina, kështu duke e prishur rendin dhe qetësinë.

Lidhur me këtë, i akuzuari Besim Ahmeti gjatë fjalës përfundimtare nuk e deklaroi veten fajtor, ndonëse shprehu keqardhje për atë se çfarë ka ndodhur.

“Më vjen keq për këtë ngjarje që ka ndodhur. Deklaroj edhe njëherë që nuk e ndjej veten fajtor, andaj lus gjykatën që të më lirojë nga akuza”, tha Ahmeti.

Në këtë gjykim, Selimi ngarkohet me veprën penale vrasje e rëndë, ndërsa Drejiqi dhe Ahmeti ngarkohen me veprën penale pjesëmarrja në rrahje.

KALLXO.com ka shkruar edhe më herët për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/ekspertize-dhe-deshmi-per-vrasjen-ne-amsterdam/

http://kallxo.com/bashkeshortja-e-te-vrarit-te-akuzuarit-nuk-kerkuan-pajtim/