Gjykimi për vrasjen e Leonora Rekaliut | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Vrasje: Nuk Jam i Rrezikshëm

Në fjalën e tij përfundimtare, Shpejtim Behrami, i akuzuari për vrasjen e Leonora Rekaliu, e cila në prill të vitit 2013 u gjet e vdekur në lumin Llap, tha se e konsideron veten si person të përshtatshëm për shoqëri, e jo të rrezikshëm siç pretendohet.

“Nuk jom qaq njeri i rrezikshëm se unë kam punuar për 10 euro tërë ditën në ndërtimtari. Unë e ndjej veten të pafajshëm dhe nëse ka drejtësi do të vërtetohen fjalët e mia”, tha Behrami.

Më tej, Behrami shprehu keqardhje për vdekjen e Rekaliut, por mohoi se e ka kryer vrasjen.

“Më vjen keq për këtë ngjarje që ka ndodhë, por nuk po them që e kam kryer këtë vepër. Nuk kam pasë asnjë arsye për ta privuar nga jeta, unë u jam përgjigjur në vazhdimësi të gjitha institucioneve shtetërore. Jam i interesuar se kjo çështje mu zbardhë dhe mos me ndejtë brenda në burg”, ishin fjalët e Behramit para trupit gjykues.

Ndërkaq në fjalën përfundimtare, avokati i Behramit, Bedri Krasniqi, kishte ankesa rreth raportit të mjekësisë ligjore e cila ishte bërë nga eksperti dr. Flamur Blakaj.

“Eksperti ka thënë se me besueshmëri trupi i të ndjerës ka qëndruar 24-48 orë në ujë, ndërkaq gjatë seancës ka thënë se nuk mund të dihet saktë, çfarë është kjo kundërthënie dhe çfarë është e vërteta?”, tha Krasniqi.

Po ashtu, avokati kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

“Në qoftë se dikush dënohet për dashuri, le të dënohet, aktakuza e prokurorit të shtetit nuk ka mbështetje ligjore”, tha Krasniqi.

Përfaqësuesi i familjes së të dëmtuarës, avokati Tomë Gashi, tha se të gjitha provat drejtohen tek i akuzuari Shpejtim Behrami, si i vetmi person që ka pasur motiv të privojë nga jeta tani të ndjerën.

“Maltretimet fizike për arsyet të cilat i di vetëm i akuzuari kanë vazhduar duke e sjellë në gjendje psiqike të ndjerën që të shndërrohet në një rob të cilin ai e kontrollonte psiqikisht dhe fizikisht, jo vetëm gjatë kohës së lidhjes së tij me të ndjerën Leonorën, jo vetëm gjatë kohës sa ka ekzistuar fejesa”, tha Gashi.

Prokurori i shtetit, Feti Tunuzliu, e bëri ndryshimin e gjendjes faktike në aktakuzë, duke elaboruar më detajisht veprimet inkriminuese të të akuzuarit.

Në aktakuzën e precizuar thuhet se i Shpejtim Behrami ka privuar nga jeta tani të ndjerën për motive të ulëta, në atë mënyrë që më 29.03.2013 rreth orës 16:00, pasi që Leonora kishte arritur në Podujevë për t’i vijuar ligjëratat e autoshkollës, i akuzuari e kishte urdhëruar me ton kërcënues që të ndalet dhe e kishte tërhequr me forcë.

Më pas, i akuzuari e kishte detyruar që të shkojë me të në një vend të panjohur ku edhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke i shkaktuar dëmtim në regjionin e hundës, gjakderdhje në pjesën e përparme të qafës, gjakderdhje nënlëkurore, e pastaj në një cektinë uji ia ka futur kokën dhe e ka mbajtur me forcë deri sa e ka mbytur.

Në seancën e radhës do të shpallet aktgjykimi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/akuzuari-rrefen-per-diten-e-zhdukjes-se-ish-te-fejuares/

http://kallxo.com/gjykimi-per-mbytjen-e-ish-te-fejuares-ne-llap/