Foto Ilustrim

I Akuzuari për Vrasje Ndihet Keq në Gjykatë

Në gjyqin për vrasjen e Ismet Sfishtës, i akuzuari Hysen Sherifi nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore, duke u bërë kështu shkak që seanca të ndërpritej.

Ndërprerjen e seancës dhe shtyrjen e saj për një ditë tjetër e kërkoi Kadri Bicaj, avokati i të akuzuarit Sherifi.

“I mbrojturi im është në gjendje shëndetësore shumë shumë të rëndë, nuk po mundet me ndejt në sallë, andaj propozoj që kjo seancë të ndërpritet dhe të shtyhet për një datë tjetër”, tha avokati Kadri Bicaj.

Edhe vetë i akuzuari Hysen Sherifi deklaroi se është i sëmurë dhe nuk po mundet të qëndrojë në sallë.

Pas këtyre zhvillimeve, kërkesa për ndërprerje të seancës u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Shpresa Hasaj- Hyseni.

Hysen Sherifi akuzohet se vitin e kaluar vrau në Podujevë Ismet Sfishtën.

Gjatë kësaj seance dëshminë e tij rreth vrasjes së Sfishtës e dha dëshmitari Bujar Llapashtica.

Llapashtica, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Ferdane Sylejmani, tha se ditën kritike kishte qenë në shtëpinë e tij, ndërsa kishte dëgjuar një krismë arme dhe zhurmën e përplasjes së një makine në murin e shtëpisë së xhaxhait të tij.

“Kur e kam dëgjuar armën kam dalë fillimisht në ballkon të shtëpisë, e kur ka gjuajtur e kam dëgjuar kur vetura ka ardhur prapa dhe e ka goditur murin e shtëpisë së xhaxhait tim”, tha dëshmitari Llapashtica.

Llapashtica tha se më pas doli në rrugë dhe e pa se një person kishte vdekur në një kamionetë.

“Pastaj kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar te dyert e shtëpisë së xhaxhait tim, e kam hapur derën e shtëpisë së oborrit të xhaxhait tim dhe e kam parë në kamion se njeriu ishte i vdekur, kaq”, tha ai deklaroi dëshmitari Bujar Llapashtica.

Pas dëgjimit të dëshmitarit Bujar Llapashtica, prokurorja e shtetit Ferdane Sylejmani kërkoi që si dëshmitar të ftohej edhe Fehmi Llapashtica, xhaxhai i dëshmitarit të sotëm, pasi në gjykatë u përmend se makina me të cilën po udhëtonte Ismet Sfishta u përplas për murin es htëpisë së tij

Por trupi gjykues refuzoi kërkesën e prokurores me arsyetimin se Fehmi Llapashtica nuk është dëshmitar okular i ngjarjes,ndërsa dëmtimi i murit të shtëpisë së tsij edhe pse përmendet në dispozitiv të aktakuzës, sipas trupit gjykues nuk është objekt shqyrtimi.

Hysen Sherifi po akuzohet se me 16 shtator 2016 afër shtëpisë së tij në Rrugën “Hasan Ramadani” në Podujevë me dashje dhe për motive të ulëta edhe pse në atë çast nuk ka qenë i rrezikuar drejtpërdrejt, e ka privuar nga jeta Ismet Sfishtën.

Sipas aktakuzës, Hyseni ka vepruar në atë mënyrë për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme ndërmjet këtyre dy familjeve dhe për shkak se djali i tij ishte shkurorëzuar nga vajza e tani të ndjerit Ismet Sfishta.

“Derisa Hyseni ishte kthyer nga qyteti i Podujevës pasi që i kishte hapur dyert e oborrit për të hyrë brenda me veturën e tij, me t’u afruar pranë veturës se tij nga drejtimi i kundërt kishte ardhur edhe i ndjeri Ismeti me kamionetën e tij”, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i ndjeri e kishte ndalë kamionetën dhe kishte bërë ndërrimin e shpejtësisë në automjetin e tij për të lëvizur mbrapa, mirëpo në atë moment Hyseni nga vetura e tij e kishte marrë armën dhe kishte shtënë tri herë në drejtim të tani të ndjerit Ismet Sfishta, me ç’rast një predhë e tejshkoi parafangon dhe e goditi në pjesën e epërme të gjoksit në qafë të ndjerin.

Seanca e radhës do të bahet me 12 shtator.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/deshmitari-flet-per-vrasjen-ne-podujeve/

http://kallxo.com/deshmitaret-nderrojne-fjalet-per-vrasjen-ne-podujeve/

http://kallxo.com/filloi-gjykimi-te-akuzuarit-per-vrasje-te-mikut/