Seanca nga gjykimi i rastit "Badovci" - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Terrorizëm: Pse ne Jemi në Burg e Vetëvendosje Jo

“Kërkoj nga ju e nderuara gjyqtare të më sqaroni se pse ne jemi në burg, përderisa Lëvizja Vetëvendosje e cila sulmon Parlamentin ndodhet në shtëpi e po ashtu Sllobodan Gavriqi i zënë me 13 kg eksploziv dënohet me 13 vite burg sa ne”, tha Latifi, duke aluduar në aktivistët e Vetëvendosjes, të akuzuar për sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, e të cilët janë në arrest shtëpiak, si dhe serbin e dënuar për terrorizëm me 13 vjet burg.

Kurse i akuzuari tjetër Fehmi Musa tha para Gjykatës se nuk e ka kuptuar asnjë pikë të kësaj aktakuze dhe se edhe po t’i lexohej me qindra herë nuk do të arrijë ta kuptojë pasi që, sipas tij, ajo është e pakuptimtë.

Në seancën e fillimit të rigjykimit (pasi Gjykata Supreme e Kosovës më 5 maj të këtij viti e ktheu çështjen në rigjykim në Gjykatën Themelore të Prishtinës), të gjithë të akuzuarit u deklaruan përsëri të pafajshëm për akuzat të cilat u vihen në barrë.

Mbrojtësit e të akuzuarve gjatë fjalës hyrëse e cilësuan aktakuzën si të pavlefshme pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme andaj thanë se besojnë se në fund të mbrojturit e tyre do të lirohen nga të gjitha akuzat.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari, u deklarua në lidhje me pretendimet e avokatëve.

“Për ta pasur të qartë opinioni dua të njoftoj se në aktgjykimin e Gjykatës Supreme nuk thuhet se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale dhe se nuk është e nevojshme që ajo vepër të jete përfunduar”, tha ajo.

Po ashtu, prokurorja propozoi që si provë në shkresat e lëndës të shtohet edhe deklarata e të akuzuarit Betim Ibrahimi, i cili gjendet në arrati.

Të gjithë mbrojtësit e kundërshtuan propozimin e prokurores.

Avokati Asdren Hoxha e kundërshtoi propozimin e prokurores ngase, sipas tij. mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia t’i parashtrohen pyetje Betim Ibrahimit dhe se Gjykata e ka veçuar procedurën penale ndaj tij.

Po ashtu, propozimin e prokurores speciale e kundërshtoi edhe Bajram Tmava, avokati i të akuzuarit Milazim Haxhiaj.

“E kundërshtoj propozimin e prokurueses sepse tani rasti i Betim Ibrahimit është në një çështje tjetër penale dhe se  ai nuk është dëgjuar si i bashkakuzuar në ketë çështje”, tha Tmava.

Përkundër kundërshtimeve të mbrojtësve, trupi gjykues e aprovoi propozimin e prokurores dhe pranoi që deklarata e Betim Ibrahimit e dhenë në Polici dhe Prokurori të lexohet.

Gjykata Supreme e Kosovës më 5 maj të këtij viti aprovoi kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë së avokatëve mbrojtës duke evidentuar disa shkelje në aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit lidhur me këtë rast.

Në korrik të vitit të kaluar, Besnik Latifi ishte dënuar me 13 vjet burg, Gazmend Haliti me 12, Milazim Haxhiaj me 10 vjet e 3 muaj, Fehmi Musa me 4 vjet dhe Enis Latifi me 10 vjet burg.

Këto vendime disa muaj më pas ishin vërtetuar nga Gjykata e Apelit ndërsa avokatët i ishin drejtuar Gjykatës Supreme.

Sipas aktakuzës, të pesë të akuzuarit në korrik të vitit 2015 kishin shkuar te liqeni i Badovcit, afër Prishtinës, me qëllim që të incizojnë një video propaganduese, në të cilën planifikonin ta lexonin betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste “Shteti Islam”, i njohur me shkurtesën ISIS.

Grupi, sipas Prokurorisë, ka pasur qëllim që këtë video ta publikojë në internet me qëllim që të dëshmojnë para botës shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islam” në Republikën e Kosovës.

Të gjithë te akuzuarit u mbrojtën ne heshtje dhe mbetën pranë deklaratave qe i kanë dhenë në fazat paraprake.

Fjala përfundimtare pritet të jepet më 19 qershor.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces gjyqësor.

http://kallxo.com/rasti-badovci-rifillon-13-qershor/

http://kallxo.com/denohet-grupi-badovcit/

http://kallxo.com/leshimet-qe-kthyen-ne-piken-zero-rastin-badovci/