Nga një seancë e gjykimit të Nexhat Ademit | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Terrorizëm nuk Paraqitet në Gjyq

I akuzuari për pjesëmarrje në grup terrorist Nexhat Ademi nuk u paraqit në gjykatë.

Lajmin për mungesën e të akuzuarit për KALLXO.com e bëri të ditur avokati i tij, Samedin Cena.

“Nuk ka ardhë, nuk kom arritë me pasë kontakt”, tha avokati Cena.

Ai deklaroi se nuk e di arsyen e mosardhjes së të mbrojturitë tij.

Sot në gjykimin e Nexhat Ademit parashihej të jepej fjala përfundimtare.

Kjo seancë ishte shtyrë edhe disa herë tjera për shkak të mungesës së të akuzuarit, për çka edhe ishte lëshuar urdhëresë për sjelle me detyrim.

Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Prokuroria pretendon se qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës Al-Nusra dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Në aktakuzë thuhet se Nexhat Ademi qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte Al-Nusra dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri, por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

Në shtator Nexhat Ademi është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzën për pjesëmarrje në grup terrorist, ndërsa ka deklaruar se është angazhuar që të pengojë shkuarjen e njerëzve tjerë në Siri.

http://kallxo.com/akuzuari-per-terrorizem-bera-thirrje-te-mos-shkohet-ne-siri/