Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Terrorizëm: Bëra Thirrje të Mos Shkohet në Siri

Nexhat Ademi i akuzuar për pjesëmarrje në grup terrorist pasi dëgjoi leximin e aktakuzës nga prokurori special Elez Blakaj, u deklarua se ndihet i pafajshëm.

Madje, Ademi përpos që nuk e pranoi fajësinë deklaroi se ka dhënë edhe kontribut për të kundërtën e asaj që akuzohet.

“Absolutisht nuk jam fajtor, unë madje kam bashkëpunuar me organet e shtetit dhe kam bo thirrje që mos të shkohet, ju kam thanë ‘mos gaboni me shku atje’ dhe kam ba bllokadë mos të shkohet atje”, tha Ademi para trupit gjykues.

Mospranimin e fajësisë e mbështeti edhe avokati i të akuzuari Sabedin Cena, i cili tha se prokuroria nuk ka ofruar prova që mbështesin një aktakuzë për një vepër kaq të rëndë.

Seanca e radhës ku do të paraqiten kundërshtimet e provave nga mbrojtja do të mbahet në muajin tetor.

Kjo seancë ishte shtyrë disa herë në të kaluarën për shkak të mungesës së të akuzuarit i cili në seancën e sotme erdhi nën shoqërimin e policisë.

http://kallxo.com/te-sillet-detyrim-ne-gjykate-akuzuari-per-terrorizem/

Ademi, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës në janar të vitit 2014 ishte nisur nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll e nga ku më pas ka udhëtuar për në qytetin Gaziantep të Turqisë që ndodhet afër kufirit me Sirinë.

Prokuroria pretendon se qëllimi i Ademit ishte që të kalojë në Siri dhe të bëhet pjesë e organizatës Al-Nusra dhe të angazhohet për krijimin e Shtetit Islamik në territorin e Sirisë dhe Irakut.

Në aktakuzë thuhet se Nexhat Ademi qëndroi në Siri për një javë në territorin që e kontrollonte Al-Nusra dhe pastaj u kthye në Kosovë.

Përpos këtij udhëtimi, Prokuroria Speciale pretendon se Ademi përsëri më 4 mars 2016 provoi të shkojë në Siri, por pasi arriti në Aeroportin e Stambollit u ndalua nga autoritetet turke dhe më pas u dëbua për në Kosovë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.

KALLXO.com ka shkruar edhe për raste tjera të gjykimeve e dënimeve të kosovarëve për pjesëmarrje në luftërat e huaja.