Foto-ilustrim

I Akuzuari për Ryshfet: Isha Pak i Dehur

Lulzim Lalinofci që doli para gjyqit ngase sipas prokurorisë u ofroi ryshfet zyrtarëve policorë 50 euro për mosshqiptim të një gjobe për tejkalim shpejtësie, nuk e pranoi fajësinë për kryerjen e kësaj vepre penale.

“ Ka qenë keqkuptim, kam qenë edhe pak i dehur“, tha i pandehuri Lalinofci .

Kryetari i trupit gjykues Hamdi Ibrahimi ia tërhoqi vërejtjen të akuzuarit se fakti që ishte pak i dehur nuk e lironte nga përgjegjësia për këtë vepër penale, sidomos pasi Lalinofci e pranoi vetë që kishte dalë në rrugë i dehur.

Teuta Zhinipotoku, avokatja e Lulzim Lalinofcit kërkoi nga prokurorja Dulina Hamiti marrëveshje për pranim fajësie, ose dënim të të mbrojturit të saj me gjobë, por prokurorja nuk e pranoi këtë kërkesë të avokates, pasi Lalinofci u deklarua i pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Lalinofci ishte ndaluar nga policia në Magjistralen Prishtinë-Ferizaj në Komunën e Graçanicës për tejkalim shpejtësie, derisa po voziste makinën e tipit VW “Passat” me ngjyrë të kaltër.

Prokuroria pretendon se derisa zyrtarët policorë e kishin ftuar Lalinofcin për t’ua dhënë të dhënat e tij personale për t’ia shqiptuar dënimin, tash i akuzuari ua kishte ofruar 50 euro, duke u kërkuar që ata t’i marrin paratë e të mos shkruajnë asgjë.

Policët e Njësisë Regjionale të Trafikut të Fushë-Kosovës Nexhmi Qyqalla, Ruzhdi Ramadani e Ervin Kaja ia kishin tërhequr vërejtjen Lalinofcit, por ai kishte vazhduar t’ua ofronte paratë.

Këtë kartëmonedhë pastaj policët e kishin konfiskuar, ndërsa rasti i Lalinofcit për dhënie ryshfeti kishte shkuar në gjykatë.