I Akuzuari për Grabitje Do Marrëveshje me Prokurorinë

Meshari Selimaj, avokati i Ali Bajraktarit të akuzuarit për grabitje, kërkoi nga gjykata që t’i jepet mundësia në emër të klientit të tij të negociojë me prokurorinë pranimin e fajësisë.

“Para se me u lexu aktakuza kam bisedu me të akuzuarin dhe është vullneti i tij që nëse na lejohet prej gjykatës me mujt me hy në marrëveshje me prokurorinë. Unë nuk e kam udhëzu ashtu, por është vullneti i tij dhe kishim me kërku me na dhanë një afat shtesë”, tha avokati Meshari Selimaj.

Prokurorja Shpresa Bakija nuk e kundërshtoi negocimin për pranim fajësie.

“Pajtohem me propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit dhe me të akuzuarin për negocimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë”, tha prokurorja Shpresa Bakija.

Prokuroria më 28 prill caktoi seancën kur do të shqyrtohet marrëveshja e mundshme e prokurorisë me të akuzuarin.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ali Bajraktari në parkun e qytetit i kishte grabitur telefonin celular një të mituri.

“Gjersa i dëmtuari i mitur P.Th. kishte qenë duke qëndruar në parkun e qytetit, kishte shkuar i pandehuri Ali duke i kërkuar telefonin mobil ku i dëmtuari-i mitur ia kishte dhënë duke menduar se e kërkon vetëm për shërbim”, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza më tutje sqaron se pastaj i akuzuari e kërcënoi të miturin dhe ia mori telefonin.

“I pandehuri e kishte hequr SIM kartën dhe i kishte thënë ‘me bo me kërku këtë telefon menjëherë ta bej zi’,  me ç’rast i dëmtuari – i mitur nga frika ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe menjëherë e ka lajmëruar policinë”, shpjegon aktakuza.