Pamje nga seanca e gjykimit të Arsim Limanit për fajde - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari për Fajde: Të Dëmtuarit më kanë Borxh

Arsim Limani, i akuzuari për fajde tha se të dëmtuarit e procesit gjyqësor kundër tij i kanë borxhe në shuma të ndryshme, por paratë mohoi se ua dha me fajde.

Duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të tij Ramiz Krasniqi se a i ka dhënë borxh dikujt, Limani u përgjigj “Po dhe nuk m’i kanë kthyer asnjëherë”.

Limani që sipas aktakuzës vendosi në Fushë-Kosovë pa leje disa aparate të lojërave të fatit për t’u dhënë para me fajde atyre që dëshironin të luanin në to, tha se i dëmtuari Bekim Peqani i ka borxh 25 mijë euro.

Ka ardhë në lokal dhe ka luajtur në aparate. Dikund mi ka pasë borxh në total 25.000 euro. dhe nuk mi ka kthyer asnjëherë”, tha Limani që tregoi se paratë Peqanit i duheshin për të shlyer borxhet që u kishte personave tjerë.

Kur dëshmoi në qershor Bekim Peqani duke iu përgjigjur pyetjes së prokurorit se mos po frikësohej që Arsim Limani do t’i bëjë problem, Peqani ishte përgjigjur “Gjithçka më shkon mendja mu”.

http://kallxo.com/deshmitari-fajdeve-sdua-kompensim-se-po-lindin-probleme/

Limani më tutje deklaroi se të hollat Peqani është dashur t’ia kthejë deri në mars të 2017-ës, por tregoi se i ka thënë “Nuk ke nevojë me u ngutë”.

I akuzuari për fajde kur u pyet në lidhje me  të dëmtuarin tjetër Arben Xhibexhiun, tregoi se prej tij e ka blerë një banesë në vlerën 40 mijë euro, ndërsa bëri të ditur se deri tash ka paguar 10 mijë euro për të.

Limani tha se deri në vitin 2020 duhet ta shlyejë borxhin për banesën.

I akuzuari foli edhe për borxhet që i kanë të dëmtuarit Ergin Alija e Agron Hajdini.

Për të parin tha se “Ergini më ka mua borxh dikund rreth 250 euro”, ndërsa borxhi i të dytit sipas të akuzuarit Limani sillet nga 100 deri në 200 euro.

Limani rrëfeu se njëri nga të dëmtuarit i kërkoi borxh se e kishte një të sëmurë, ndërsa tjetri për shkak të një dasme. [Mendim Puqolli] herën e fundit mi ka kërku 300 euro se më tha po më duhen për njëfarë pune, më thojke se e ka smutë dikënd te shtëpia. Nja 3-4 herë mi ka kërku këto 300 euro. Nuk mi ka kthyer këto para”, tha Limani.

“Gani Eminit ia kam dhënë 4500 euro me sa më kujtohet mi ka kërkuar për një darsmë të djalit të vet. Në të njëjtën kohë djali tjetër i Ganiut ka punuar tek unë në lokal dhe pasi që ia dhashë paratë, më tha Arsim nëse nuk mundem këto me ti kthy, unë ta jap 1 ari tokë dhe si formë garancioni po ta lo këtë letër si garancion”, deklaroi Limani.

I akuzuari i tha prokurores Javorka Prlinçeviq se pse po i konsideron këta persona të dëmtuar.

“Nuk e di pse i quani kështu (të dëmtuar). Jo, nuk është e saktë dhe unë me të gjithë kam marrëdhënie shoqërore, nuk e di pse po insiston prokurorja me acaru gjëndjen midis meje dhe shokëve të mi”, tha Limani.

Në bazë të aktakuzës, që nga viti 2015 e deri më 2016, i akuzuari Limani u ka dhënë shuma të caktuara të parave me fajde të dëmtuarve Bekim Peqani, Ergin Alija, Mendim Puqolli, Naim Peqani, Lulzim Peqani, Arben Emini, Arben Xhibegjiut dhe Agron Hajdinit, ndërsa më pas ka përfituar shuma më të mëdha të të hollave nga ta.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/ne-gjyqin-per-fajde-deshmitaret-nuk-ndihen-te-demtuar/

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-bixhoz-e-fajde-per-shkak-te-trupit-gjykues/

http://kallxo.com/deshmitari-per-10-mije-euro-duhej-ti-ktheja-40-mije/