Gjykimi për ryshfet dhe ushtrim ndikimi

I Akuzuari Mungon në Gjykimin për Ryshfet

Edhe pas dy orë pritjeje, gjykimi  i të akuzuarve për ushtrim ndikimi dhe marrje e dhënie ryshfeti u shty edhe njëherë.

Për dallim nga disa seanca më parë ku mungesa e prokurores shtyu seancën, këtë herë i akuzuari Esat Belaj nuk u paraqit në seancë.

Ndonëse seanca ishte caktuar të fillonte në orën 9, kryetarja e trupit gjykues tha se do të presin të akuzuarin deri në orën 11, por edhe pas orës 11 i akuzuari Esat Belaj nuk u paraqit në gjykatore.

Ky proces gjyqësor është shtyrë disa herë për arsye të ndryshme ndërsa KALLXO.com ka raportuar për disa prej tyre.

http://kallxo.com/detyra-e-re-e-prokurores-shtyn-gjykimin-per-ryshfet/

Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Prishtinë  akuzon 13 persona për vepra të ushtrimit të ndikimit, marrjes së ryshfetit dhe dhënies së ryshfetit.

Esat Belaj nga prokuroria akuzohet për marrje të ryshfetit dhe keqpërdorim të detyrës.

Belaj akuzohet se ka pranuar para në cilësinë e kryetarit të Organizatës Studentore “Reforma” dhe studentit senator për kryerjen e një provimi nga Valbona Jakupi studente e Fakultetit Ekonomik, ashtu që ka siguruar që në vend të saj të hyjë në provim një person tjetër, por i cili nuk e ka kaluar provimin.

Sipas aktakuzës, Belaj ngarkohet se nga 9 shtatori 2012 deri më 16 shtator 2012 si student senator duke shfrytëzuar ndihmën e të pandehurve Leonard Bytyqi dhe Albion Haxhijaha kërkoi në mënyrë të tërthortë dhe pranoi shumën e parave në vlerë prej 4500 eurosh.

Gjithnjë sipas aktakuzës, këtë shumë e kishte dhënë Amonda Orllati, po ashtu e akuzuar në këtë proces gjyqësor, me qëllim të regjistrohej në Fakultetin e Mjekësisë, Dega e Stomatologjisë në UP.

Belaj përpos marrjes së ryshfetit akuzohet edhe për ushtrim të ndikimit dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Për ushtrim ndikimi së bashku me Belajn akuzohen edhe Arian Janova, Gazmend Maliqaj dhe Mevludin Beqiri.

Sipas aktakuzës, nga korriku 2009 deri më janar 2012 këta të akuzuar kanë ushtruar ndikim mbi marrjen e vendimeve te personat zyrtar lidhur me regjistrimin e personave të ndryshëm në fakultete, sidomos në atë të mjekësisë, kanë kërkuar e në disa raste kanë pranuar dhurata të ndryshme në para në shuma 150, 200, 350, 400 e deri në 1400 euro.

Të akuzuarit Kemajl Gashi, Kushtrim Morina dhe Arton Hoti ngarkohen për veprën penale ndihmë lidhur me veprën e ushtrimit të ndikimit.

Të akuzuarit Muhamed Maliqi, Albion Haxhijaha dhe Leonard Bytyqi akuzohen për ndihmë lidhur me marrje të ryshfetit, ndërsa Amonda Orllati dhe Shaqir Reçica akuzohen për dhënie të ryshfetit.

Rajan Zeneli që akuzohej për ndihmë lidhur me ushtrim të ndikimit është liruar nga akuza pasi që vepra për të cilën akuzohej ka arritur vjetrimin.

Sipas aktakuzës veprat u kryen  përgjatë viteve 2009 dhe 2012 dhe kishin të bënin kryesisht për regjistrime të jashtëligjshme në Universitetin e Prishtinës dhe kalimin e provimeve kryesisht në Fakultetin e Mjekësisë.