Pamje nga seanca ndaj ish-kryetarit të Obiliqit, Mehmet Krasniqi - Foto: KALLXO.com

I Akuzuari Mohon Presionin nga Ish-Kryetari i Obiliqit

Në gjykimin e ish-kryetarit të Obiliqit Mehmet Krasniqi dhe 13 personave tjerë në lidhje me asfaltimin e disa rrugëve rurale të kësaj komune, njëri nga të akuzuarit Xhavit Krasniqi mohoi presionin nga ish-kryetari.

Xhavit Krasniqi si zyrtar kryesor administrativ kishte nënshkruar një aneks-kontratë, ndërsa gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij u qëndroi besnik deklarimeve të dhëna në hetuesi e polici, me përjashtim të fjalëve për presionin e ushtruar nga Mehmet Krasniqi.

Në hetuesi Xhavit Krasniqi kishte thënë që mori urdhër me gojë nga ish-kryetari Mehmet Krasniqipër ta nënshkruar një dokument, duke u tërhequr nga nënshkrimi i tij.

Por gjatë paraqitjes së mbrojtjes, Xhavit Krasniqi tha se asnjëherë nuk ka pranuar urdhra nga ish kryetari dhe tërhiqet nga deklarata e dhënë më parë për këtë në hetuesi.

Pastaj ish-kryetari Mehmet Krasniqi pati një pyetje për Xhavit Krasniqin. I tha: “A të kam bërë presion për shtrimin e rrugës prej 250 metrash?”

“Jo asnjëherë as që jemi takuar për këtë punë,” u përgjigj Krasniqi.

Mbrojtjen e paraqiti edhe ish-kryetari Mehmet Krasniqi që gjithashtu u mbeti besnik deklaratave të dhëna në polici dhe prokurori.

Krasniqi paraqiti në gjykatë një dokument të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik me të cilin tha se i jepet të drejtë nënshkrimit të aneks-kontratës për materiale dhe produkte bazë.

“Në rastin tuaj konkret ZKA-ja (zyrtari kryesor administrativ) ka pasur të drejtë të aprovojë këtë aneks kontratë,” thuhej në dokumentin e paraqitur nga Mehmet Krasniqi.

Mbrojtjen e tij e dha edhe i akuzuari Haki Raqi që u pyet nga prokurori se si i komentonte rezultatet e laboratorit IBMS që ishin krejtësisht ndryshe nga ato që i kishte bërë operatori që kishte asfaltuar rrugët.

Raqi tha se ishte i befasuar me rezultatet e laboratorit IBMS.

Në këtë proces gjyqësor ish-kryetari i Obiliqit Mehmet Krasniqi akuzohet për keqpërdorim të detyrës ose autoritetit zyrtar në periudhën e viteve 2012-2013, kur u realizuan projekte për asfaltimin e disa rrugëve në komunën që e drejtonte.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare ngarkohen edhe Haki Raqi, Xhavit Krasniqi, Nazmi Gashi, Ramadan Hashani, Bajram Paloji, Azem Spanca dhe Altin Preniqi.

Prokuroria për veprën penale të mashtrimit i akuzon Emir Sopjanin, Sami Kadriun, Bujar Alidemën, Shpend Kelmendin dhe Basri Kqikun,ndërsa për mashtrim në detyrë Hasnije Dushin si dhe Haki Raqin.

Nga këta të akuzuar vetëm Basri Kqiku ka pranuar fajësinë duke thënë në gjykatë se i vjen keq për veprën e kryer.

Pas pranimit të fajësisë gjyqtarja kishte kërkuar Kqiku dhe avokati i tij që të lëshojnë seancën, ndërsa të paraqiten në gjykatë vetëm kur të jepet fjala përfundimtare.

Këtu mund ta lexonin dosjen për zyrtarët e Obiliqit