Gjykimi për shmangien nga tatimi | Foto: KALLXO.com

I Akuzuari Dëshmitarit: Nuk të Dhashë Para, Prandaj Jam Këtu

Në gjykimin e nëntë personave për dëmin 4 milionësh të shkaktuar buxhetit të Kosovës nga shmangia e tatimit, i akuzuari Enver Hasani bëri akuza të rënda ndaj hetuesit tatimor të ATK-së, Besim Haziri, i cili është dëshmitar i këtij rasti.

“Krejt çështja ka qenë pse nuk ka mujtë me më frikësu e me i dhënë para, e pasi që nuk i kam dhënë para edhe më ka sjellë këtu”, tha Hasani.

Prokurori Faik Halili kërkoi nga i akuzuari që të marrë përgjegjësi për këto fjalë dhe të e dëshmojë në prokurori.

“Gjithsesi të na dëshmojë në prokurori se kush i ka bërë presion dhe kjo çështje duhet të hetohet”, tha prokurori special.

Reagime të menjëherëshme pati edhe avokati i Hasanit, Tahir Rrecaj, i cili kërkoi nga trupi gjykues që kjo pjesë të tërheqet nga procesverbali.

E në anën tjetër ishte vetë dëshmitari Haziri i cili insistoi që këto fjalë të konstatoheshin në procesverbal.

E në fund, trupi gjykues nuk e lejoi tërheqjen e fjalëve të të akuzuarit nga procesverbali.

Ndër të tjerash, para se Hasani të e bënte akuzën ndaj Hazirit, të njëjtin e pyeti se çfarë kishte konstatuar te faturat e blerjes dhe ato të shitjes të kompanisë së tij NTP “Banana”.

“Çfarë ke konstatuar te faturat e blerjes dhe faturat e shitjes që si ke kontrollu hiq?”, ishte pyetja e të akuzuarit për dëshmitarin.

Dëshmitari tha se ka konstatuar fatura fiktive dhe atë pa mbulesë, kjo pasi që nuk ka arritur as malli apo shërbimi, përfshri këtu edhe transaksionet të cilat kanë qenë fiktive.

Besim Haziri ka dëshmuar edhe në disa seanca tjera të këtij gjykimi, ndërsa në seancën e kaluar kishte thënë se NTP “Banana” e të akuzuarit Hasani kishte pasur blerje fiktive.

http://kallxo.com/hetuesi-atk-se-deshmon-ne-gjykimin-per-shmangie-tatimore/

http://kallxo.com/84-pyetjet-e-tahir-rrecajt-ne-gjykimin-per-demin-4-milionesh/

http://kallxo.com/dilemat-rreth-origjinalitetit-te-dokumentit-shtyne-seancen/

Sipas aktakuzës, Blerim, Skender dhe Fatmir Sinani, Isa Dërguti, Samir Sinanaj, Sabit e Ramadan Sogojeva, Enver Hasani dhe Mentor Emini, duke duke funksionuar si grup i organizuar në periudhën kohore 2010-2014, me qëllim që vetes t’i sjellin pasurim të drejtpërdrejtë financiar, i kanë regjistruar bizneset e tyre, disa prej tyre fiktive.

Aktakuza sqaron se për t’iu shmangur pagesës së tatimit, të akuzuarit kanë lëshuar fatura fiktive dhe ua kanë mundësuar edhe bizneseve të tjera shmangien nga tatimi.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për procesin gjyqësor ndaj 9 të akuzuarve për krim të organizuar, lidhur me veprën penale dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin.

Raportet mund t’i gjeni këtu.

Nëntorin dhe dhjetorin e vitit të kaluar në Emisionin “Jeta në Kosovë” u shfaq hulumtimi në tri vazhdime për një vjedhje të organizuar tatimore që ishte bërë nëpërmjët shmangies nga tatimi me anë të firmave fantome.

Këtë skandal e kishte raportuar në KALLXO.com kallxuesi Murat Mehmeti, hetues në Administratën Tatimore të Kosovës.

Vjedhja e Organizuar Tatimore

Vjedhja e Organizuar Tatimore 2

Vjedhja e Organizuar Tatimore 3