I akuzuari Skender Bislimi në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

I Akuzuar për Krime Lufte, Skender Bislimi Del Para Gjykatës

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Në fjalën e tij hyrëse prokurori Charles Hardaway ngriti pretendimet se Bislimi është përgjegjës për një vrasje.

“Skender Bislimi, në bashkëkryerje me të paktën 10 persona tjerë duke vepruar si pjesëtarë të forcave të armatosura serbe, policë rezervë dhe paraushtarakë ka dhunuar integritetin trupor dhe shëndetin e më shumë se 40 civilëve meshkuj shqiptarë të Kosovës” ,tha Hardaway.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Krimet e pretenduara nga prokurori janë kundërshtuar nga avokatët.

Në fjalën e tij avokati Miro Delloviq ngriti pretendimet se klienti i tij është i pafajshëm. “Klienti im nuk ka gisht në krimet e pretenduara”, theksoi Delloviq.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

http://kallxo.com/aktakuze-per-krime-lufta-ndaj-te-ekstraduarit-nga-bosnja/

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person.

Ivan Radivojeviq është dënuar me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Rezervisti Fajtor për Krime të Luftës (TV)

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

Procesi gjyqësor ndaj Bislimit pritet të vazhdojë në muajin tjetër.