Abelard Tahiri, Foto: Facebook.

Akuzat ndaj Molliqajt, Abelard Tahiri Mund të Ftohet në Prokurori

 

Në një komunikim me KALLXO.com prokurori special Abdurrahim Islami ka pranuar se i ka parë deklarata e dhëna në media. “jemi duke e analizuar situatën” ka thënë Islami. Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Tahiri të thirret për bisedë në prokurori përderisa ka potencuar se nuk kanë pasur fakte të cilat përfshijnë njerëz të tjerë në sulmin në kuvend. Në një postim të tij në facebook këshilltari i presidentit Thaçi Abelard Tahiri kishte akuzuar deputetin e VV-së Dardan Molliqaj për sulmin në Kuvendin e Kosovës.

Në një postim në Facebook, Abelard Tahiri, i cili është edhe anëtar i kryesisë së PDK-së, e quajti Molliqajn “kriminel ordiner” ndërsa kritikoi organet e drejtësisë që e kanë lënë të lirë Molliqajn deri më sot.

“Dardan Molliqaj është përgjegjës për vënien e bombës në RTK; Dardan Molliqaj është përgjegjës për organizimin e atentatit ndaj familjes së Drejtorit të RTK-së; Dardan Molliqaj është përgjegjës për korrupsionin dhe shitjen e lejeve të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës; Dardan Molliqaj e di se në çfarë gjendje të rëndë është A.M. prej haraçit që ia ka vënë ai, mes tjerash, duke e detyruar që t’i paguajë edhe punëtorët e tij për të dalë në protestat e Vetëvendosjes”, kishte shkruar Tahiri.

Përderisa në rastin e sulmit ndaj Kuvendit, procesi gjyqësor është duke u zhvilluar ndaj tre aktivistëve të Vetëvendosjes, grup në të cilin nuk bën pjesë Molliqaj, në rasti e sulmeve ndaj RTK-së dhe shtëpisë së drejtorit të përgjithshëm Mentor Shala, prokuroria ende nuk ka gjetur ndonjë të dyshuar.

Pak minuta pasi është përballur me akuza të hapura nga Abelard Tahiri Këshilltar i Presidentit Thaçi Dardan Molliqaj ka reaguar duke i quajtur të porositura dhe shpifje akuzat ndaj tij.

“Prej panikës së humbjes, Kadri Veseli përmes zagarit të tij Uran Ismailit, dhe Hashim Thaçi përmes zagarit tjetër Abelard Tahirit, qenkan lëshu me lehje e shpifje ndaj meje” ka shkruar Molliqaj. Ai tutje e ka paraqitur frazën e tij të njohur për hajnat në burg. “Këto lehje nuk mund ta ndryshojnë një fakt të thjeshtë: hajnat e kriminelët do të përfundojnë në burg “kishte shkruar Molliqaj