Akuza për Pushtim e Kërcënim Ndaj Shytit e Beqirit

Bekim Shyti, një biznesmen nga Vushtrria kishte ardhur të premten në Prishtinë për të pritur një delegacion të biznesmenëve nga diaspora.

Katër orë zgjati takimi në një hotel në Prishtinë i organizuar nga Ministria e Diasporës ku biznesmenë lokalë iu tregonin biznesmenëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit mundësitë e investimeve në Kosovë.

“Unë jam njëri prej atyre që lobojnë për investime në Kosovë”, thotë Shyti për Gazetën Jeta në Kosovë që ndërpreu në gjysmë takimin për të dhënë intervistë.

Sipas tij, prodhimi dhe përfitimi nga resurset natyrore duhet të jenë në fokus të investimeve.

Por ish-komandanti i zonës së Shalës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës përmendet se vepron krejt ndryshe me atë që e thotë.

Një aktakuzë rëndon mbi të. E ngarkon atë me veprat penale të detyrimit dhe pushtimit të pasurisë së një biznesmeni nga Finlanda që investoi në Mitrovicë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar aktakuzën që Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 12 prill  të vitit të kaluar e ngriti kundër Bekim Shytit dhe Kasim Beqirit.

“Të pandehurit duke e pushtuar pronën e paluajtshme i kanë pamundësuar të dëmtuarit Nexhat Kastrati që të shfrytëzoj pronën e tij”, shkruan në aktakuzë.

Aktakuza ende nuk është shqyrtuar nga gjykata themelore e Mitrovicës.

Kryetarja e gjykatës Kada Bunjuku-Përquku tha se ky rast nuk është trajtuar ende pasi nuk i ka ardhur radha.

“Lënda është e pakryer dhe nuk është mbajtur asnjë seancë. Nuk është lëndë me prioritet ligjor”, tha ajo.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për kërcënimin e investitorit nga Finlanda Nexhat Kastrati në nëntor të vitit 2012.

Kastrati në qershor të vitit 2012 kishte privatizuar nga AKP-ja  ish-restorant “Yllin” që ndodhet në qendër të Mitrovicës, mirëpo ai nuk mundi ta shfrytëzoj pronën e tij tash e dy vite. Aty operon marketi Florenti që menaxhohet nga Kasim Beqiri.

Ndërkohë Kastrati përveç që lajmëroi në polici se po kërcënohej nga Shyti e Beqiri kishte ngritur edhe padi për lirimin e pronës.

Avokati i tij, Ramë Dreshaj tha për Gazetën Jeta në Kosovë se në shkallën e parë, gjyqtarët e EULEX-it e kanë vendosur për lirimin e pronës.

“Tani lënda me ankesë të të paditurit Kasim Beqiri është në shkallën e dytë të gjyqtarët e Eulex-it. Pa dyshim se do vërtetohet aktgjykimi i shkallës së parë”, tha Dreshaj.

Blerim Krasniqi zëdhënës i EULEX-it tha se ende nuk është caktuar data e fillimit të gjykimit të shkallës së dytë.

Pushtim e kërcënime

Ndërkaq sipas aktakuzës, Shyti dhe Beqiri duke vepruar në marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetes t`i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme kishin përdoruar kërcënime kundër Nexhat Kastratit.

Aktakuza përshkruan në detaje rrjedhën e ngjarjeve që kanë ndodhur në Mitrovicë.

Në pronën që Agjensioni Kosovar i Privatizimit, i shiti biznesmenit Nexhat Kastrati kishte qenë qiradhënës marketi “Florenti” prej vitit 2006, dhe sipas procedurave do të duhej të lironte atë me 1 shtator 2012.

Bazuar në aktakuzë Nexhat Kastrai i kishte dhënë edhe dhjetë ditë të tjera kohë Beqirit për lirimin e lokalit.

Por disa ditë para se të kalonte afati i përcaktuar -10 shtatori- dhe kur Nexhat Kastrati ka shpresuar të marrë zyrtarisht çelësat e lokalit të tij nga AKP-ja, kishte pranuar një telefonatë nga Kasim Beqiri.

“Me datë 6 shtator Kasimi më kontaktoi duke thënë se unë lokalin nuk kam me ta liru”, shkruan në deklaratën e Kastratit.

Përmendet në aktakuzë se Beqiri në shtator të vitit 2012 i kishte prezantuar një ofertë Kastratit. I kishte ofruar gjithë shumën me të cilën e ka blerë lokalin prej AKP-së.

“Por i dëmtuari nuk e ka pranuar”, shkruan në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se Kasim Beqiri ka pohuar se ka biseduar me vëllezërit e tij të cilët i kanë thënë “mos e lësho lokalin në asnjë mënyrë” dhe ai i përmbahet marrëveshjes me vëllezërit e tij duke e njoftuar të dëmtuarin “pa u farue tanë unë lokalin nuk kam me ta leshu”.

Ndërkaq në deklaratën e tij dhënë policisë Beqiri kishte mohuar të ketë kërcënuar Kastratin, duke theksuar se ka kërkuar që të bisedoj me të për të gjetur zgjidhje të pëlqyeshme për këtë lokal dhe për këtë është takuar me të gjithsejt tri herë.

Beqiri deklaroi para policisë se AKP-ja nuk ka pasur të drejtë ta shes lokalin sepse është dashur të konsultohet me bashkë shfrytëzuesit e tij, e jo të krijoj probleme të tilla.

“Përfundimisht nuk do ta lëshoj lokalin deri në një vendim të ardhshëm nga ana e gjykatës”, kishte thënë Beqiri.

Nexhat Kastrati, ka deklaruar se ka pranuar telefonatë edhe nga Bekim Shyti, i cili i ka kërkuar të largohet nga ky lokal duke i thënë “se na t`i japim të gjitha paratë që i ke dhënë për këtë lokal sepse na do ta marrim këtë lokal sepse të njëjtën e kemi me qira dhe është dashtë të na pyesësh para se ta blesh”.

Pasi Kastrati nuk kishte pranuar asnjë lloj marrëveshjeje, Bekimi citohet t`i ketë thënë “pushka top tu bëftë e hajde merre lokalin”.

Sipas aktakuzës përben kërcënim fakti që Bekim Shyti i thotë Nexhat Kastratit “pushka top tu bëftë e hajde merre lokalin”.

Kastrati, bazuar në aktakuzë, këtu e kishte kuptuar se i kanoset e rrezikohet jeta po të ndërmarrë ndonjë veprim për të realizuar të drejtën e tij si pronar i kësaj patundshmërie.

Por Bekim Shyti kur u intervistua të premten e javës së kaluar nga Gazeta Jeta në Kosovë mohoi të ketë kërcënuar investitorin nga Finlanda.

Ai pranon se e ka telefonuar Kastratin dhe në fund të bisedës i ka thënë “Nexhat ti më së paku koke shqiptar se mua mu ka bë e padrejtë si vendor me gjithë këto investim. Po ti qenke  i fortë. Unë jam këtu e hajde kur të dush merre lokalin”.

Shyti, thotë se nuk ka asnjë fakt që të ngarkohet me kërcënim.

Ai thotë se në rastin e privatizimit kur kishin ofertuar me 200 mijë euro për blerjen e lokalit i kanë ofruar AKP-së edhe një dokument se ata ishin qiradhënës të rregullt. AKP-ja, sipas tij, është dashur që t`i japë përparësi në garë shfrytëzuesve aktualë.

“Ata nuk e kanë marrë për bazë”, thotë Shyti.

Kasim Beqiri ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë rast.

Hisedarë pa letra

Ish-komandanti i zonës thotë se më nuk është ortak në marketin Florenti dhe se Kasim Beqiri vazhdon i vetëm aktivitetin biznesor.

“I kam thanë -po më vjen keq Kasim po unë nuk mundem më me vazhdu me qenë pjesë e gazetave-”, tha Shyti.

Por Shyti asnjëherë nuk ka qenë aksionarë me letra në këtë biznes.

Thotë se nuk ka mundur të jetë hisedarë me dokumente pasi që ishte pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës deri në transformimin e tyre dhe nuk lejohej përfshirja në biznes e anëtarëve të saj.

“Por secili jemi merr kapak me biznese”, thotë Shyti. Ai shton se kjo mund të sigurohet shkelje ligji por se ka qenë i detyruar  ta bëjë këtë veprim.

“Nuk kam mundur të mbajë familjen me vetëm 240 euro pagë nga TMK-ja”, thotë Shyti.

Përveç përfshirjes në biznes me Kasim Beqirin ai ka shtrirë operimin e tij edhe në kompani tjera.

Bashkë më vëllezërit e tij, prej vitit 2009 kanë themeluar kompaninë e sigurimeve Leo Security.

Po ashtu është drejtor gjeneral dhe anëtarë i bordit i kompanisë “Qendra për Trajnime Aeronautike” e regjistruar në korrik të vitit 2006.  Veprimtari të “Qendrës për Trajnime Aeronautike” janë veprimtaritë përcjellëse në transportin ajror dhe arsimimi i të rriturve.