Akuza për Falsifikim të Buxhetit në Ferizaj

Rishikimi i Buxhetit u miratua në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryesuesi, Faruk Guri, ndërsa kryetari Muharrem Sfarqa nuk ishte i pranishëm.

Asamblistët e PDK-së dhe ata të grupit 3 Plus patën shumë vërejtje dhe kërkuan që rishikimi i buxhetit të mos votohet në mënyrën se si është sjellë nga ekzekutivi.

Lulzim Aliu nga PDK tha se me këto ndryshime në buxhet janë bërë falsifikime.

“Për mua është shumë shqetësues dhe duhet te jetë edhe për juve shqetësuese kryesues është se kjo i bie falsifikim i buxhetit. Lista e projekteve që ekziston në Komunë nuk përputhet me listën e projekteve që është në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai.

Muhamet Qerkini nga LDK tha se ka shumë projekte të cilat nuk janë përfshirë në rishikimine buxhetit, sidomos për hapësirat sportive tani pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA.

Por, sipas tij, miratimi i rishikimit të buxhetit shkon në interes të qytetarëve të Ferizajt.

“Miratimi i rishikimit të buxhetit shkon në të mirë të gjithë qytetarëve të Ferizajit, prandaj edhe duhet votuar”, tha ai.

Ndërsa, Qazim Rrahmani nga Grupi 3 Plus, kritikoi qeverinë e kryetarit Sfarqa, duke thënë se është qeverisje diskriminuese ndaj komunitetit të cilin e përfaqson ai.

“E thanë më herët kolegët që vërtet politika bëhet me numra, por politika nuk bëhet me diskriminim dhe me injorim. Ata të cilët dijnë të diskriminojnë dhe injorojnë, ata njerëz nuk e kanë vendin në poltikë”, ka deklaruar Rrahmani.

E drejtoresha për Buxhet e Financa, Lirie Syla, tha se janë bërë lëvizje financiare nëpër projekte në vlerë prej 720 mijë euro nga kursimet dhe heqjet apo futjet e projekteve të reja.

Debat i nxehtë në mes të asamblistëve është zhvilluar edhe për propozimin e dhënë që shoqatat e luftës të gëzojnë një ndihmë financiare prej 500 eurosh në muaj. Mirëpo, kjo çështje u shty për kohë të pacaktuar.