Asambleja e Istogut | Foto: KALLXO.com

Akuza për Dhënien e Pronave Komunale Bizneseve të Familjes Rugova

Opozitarët thanë se pronat komunale në Cerrcë,Vrellë dhe Lubozhdë nga paslufta janë shfrytëzuar nga kompani të gurthyesve që janë në pronësi të familjarëve të kryetarit Rugova dhe strukturave të LDK-së.

Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Arben Kabashi, tha se kjo mbledhje e asamblesë komunale po mbahet vetëm për interesa të kryetarit të Komunës, Haki Rugova.

Kabashi nga PDK-ja tha deri me tani komuna nuk ka përfituar asnjë cent nga shfrytëzimi i pronave komunale nga këto kompani që kryesisht kanë gurthyes.

Për Kabashin vetëm po legalizohen shfrytëzuesit ilegalë të këtyre pronave

“Ju e dini të gjithë se për këto katër parcela tanë e dimë që njëjtit njerëz kanë me marrë apet, thjesht unë e ceka prej ilegalitetit po e bëni me legalitet, prej pa dokumentave po e boni me dokumente,” tha Kabashi.

Shqetësime rreth këtyre dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave, pati edhe këshilltari i pavarur, Arif Elshani.

Elshani e pyeti kryesuesin e Kuvendit Komunal, Hazib Bajrajn se kush do ta nënshkruajë kontratën me kompaninë e vëllezërve të kryetarit të Istogut

“ Nuk guxon me nënshkruar (kryetari). Kryesues kush don me nënshkruar kontratën me vëllezër të vetë, mos more burra. Jo kryetar keq e ki,”, tha Elshani.

Katër kompanitë që shfrytëzojnë aktualisht pronat që me propozim të Kryetarit janë sjellë në asamble për t’u dhënë në shfrytëzim përmes ankandit publik, janë të lidhura ngushtë me Kryetarin e Komunës dhe subjektin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog, tha shefi i grupit të këshilltarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Prek Prekaj.

Ai tha se pronarët e këtyre kompanive kanë dalë para objektit komunal për të  lobuar për votimin e dhënies në shfrytëzim të këtyre pronave dhe sipas tij kjo dëshmon interesin e tyre.

“Sikur mos të ishte interes i kompanive të caktume për të cilat jemi tu fol, nuk kishin dalë pronarët e tyre të shkallët (para komunës) me lobu për me votuar që na ka ndodhur para gjysme ore”, tha Prekaj.

Këshilltari komunal nga Lëvizja Vetëvendosje , Florin Dreshaj tha se këto kompani kanë dëmtuar shumë ambientin dhe lumenjtë përreth tyre.

Ai tha se tani po të njëjtave kompani po u përgatitet terreni që t’u jepen këto prona në shfrytëzim për pak para.

Këshilltaret komunalë nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë se çdo gjë është duke shkuar sipas ligjit në ketë proces. Disa këshilltarë nga ky subjekt akuzat e  opozitës i ndërlidhën me para fushatën  zgjedhore.

Enver Rugova, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së tha se nuk duhet përmendur familjet, por kompanitë të cilat operojnë në ato parcela komunale.

Sipas tij përmes ankandit publik do vendoset se kush do i merr në shfrytëzim ato prona.

“ Çka ka të keqe për me legalizuar pronën komunale ku ai operon, po mirë, i konkurron dikush, i ka bagerat, le t’i konkurrojë është konkurs  publik”, tha ai.

Kurse, nënkryetari i komunës, Lulëzim Blakaj, tha se katër pronat do jepen në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 15 vjetëve.

Ai tha se nuk duhet personalizuar këto çështje por duhet diskutuar së a janë në rregull ligjërisht.

Sipas tij, pas diskutimit publik konkurrentet do vlerësohen nga komisioni komunal i përbërë nga prej të gjitha subjekteve politike.

Gjatë debatit shumica e pjesëtarëve të opozitës lëshuan mbledhjen e asamblesë komunale, kurse në fund me shumicë votash të katër pikat e rendit të ditës u aprovuan.

“Drejtësia në Kosovë” sot do të shfaqë hulumtimin për një objekt shtatëkatësh që kryetari i Istogut dhe vëllezërit e tij e ndërtuan në pronën komunale.

http://kallxo.com/hulumtim-komuna-e-familjes-rugova/