Teatri Kombëtar i Kosovës - Foto: Atdhe Mulla

Aktrimi i Teatrit me Buxhetin

Një prej tyre është Fatime Lajqi. Por, ajo nuk është e vetme.

Fatimja tregon për KALLXO.com se shfaqja e fundit në të cilën është angazhuar është para dhjetë vitesh.

“Unë qe 10 vite nuk jam angazhuar fare. Më kujtohet që shfaqja e fundit ka qenë ‘Zeka i zi’ me regji të Isa Qosjes”, tha ajo.

KALLXO.com ka gjetur se shfaqja “Zeka i zi” e regjisorit Isa Qosja është luajtur në Teatrin Kombëtar në vitin 2008.

Kurse aktori Selman Jusufi, i cili ka dalë në pension që nga janari i këtij viti, tha për KALLXO.com ka qenë autor i disa ngjarjeve mirëpo roli i tij i fundit ka qenë në vitin 2007.

“Unë kam qenë autor i disa shfaqjeve, me regji dhe tekst, por roli i fundit është Aleksandër Moisiu, me tekst të Musa Ramdanit dhe dramturgut Teki Dervishi, me regji të Agim Selimit”, tha ai.

KALLXO.com ka hulumtuar repertorin e Teatrit Kombëtar gjatë dy viteve të fundit dhe aktorët Fatime Lajqi, Ismet Azemi, Naim Berisha, Basri Lushtaku, Selman Jusufi, Hysnie Muçaj, Mehmet Breznica dhe Sherina Mehmeti nuk kanë qenë pjesë e shfaqjeve teatrale.

E pyetur rreth kësaj çështjeje, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në përgjigje ka shkruar se aktorët paguhen në bazë të kornizave ligjore dhe se Teatri është përgjegjës që ta informojë për çdo parregullsi.

“Ministria vazhdon t’i paguajë të gjithë aktorët rezidentë, menaxhmentin dhe stafin administrativ të TKK-së sipas Rregullores Nr. 05/2011 dhe Ligjit për Shërbyesit Civil të Republikës së Kosovës. Nëse ka ndonjë shkelje apo mospërmbushje të detyrave të aktorëve rezidentë të TKK-së, MKRS njoftohet zyrtarisht përmes drejtorit të përgjithshëm të TKK-së”, ka shkruar Ministria në përgjigjen e saj.

Ndërsa, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Agim Sopi, tha se kjo lloj praktike ka ndryshuar rrënjësisht me ardhjen e menaxhmentit të ri, i cili gjatë 6 muajve “ka angazhuar mbi 80% të stafit rezident”.

“Pse nuk është raportuar në MKRS për aktorë të mosangazhuar vite me radhë këtë unë nuk e di. Ne në fund të vitit do të publikojmë raportin vjetor të punës tonë dhe me siguri atëherë mund të gjykohet saktë për TKK-në”, tha ai.

Sipas tij, mungesa e politikave kulturore ka lënë Teatrin dhe shumë institucione të tjera në mëshirën e improvizuesve.

“TKK i mbasluftës ka qenë njëfarë lloj servisi i grupeve të interesit, thënë shkurt, një lloj ‘tezge’ e profiterëve dhe artistëve në të njëjtën kohë. Nuk them se nuk  është krijuar asnjë lloj vlere në këtë periudhë, por them se edhe ato pak vlera të krijuara aksidentalisht janë margjinalizuar, nuk janë ruajtur, nuk janë konsumuar dhe nuk janë promovuar, por thjesht janë fundosur në moçalin e antivlerave dhe improvizimeve”, tha ai për KALLXO.com.

Ai tha se më parë në Teatër kanë përformuar amatorë dhe jo aktorë profesionalë pasi që janë shikuar interesat e regjisorëve.

“Logjika e ‘repertorit klandestin’ dhe angazhimi i regjisorëve me ‘grupet e veta’ e ndjekur vite me radhë ka lënë në njëfarë lloj ‘pensioni’ aktorët  rezidentë të TKK-së. Nëpër skenën e TKK-së kanë defiluar lloj-lloj amatorësh e anonimusësh, por pothuajse nuk janë angazhuar asnjëherë aktorët si: Istref Begolli, Xhevat Qorraj, Selman Jusufi, Çun Lajçi, Drita Krasniqi, Bislim Muçaj, Kumrije Hoxha, Shirine Morina, Lumnie Sopi, Xhejlane Godanci, etj.”, tha ai.

Drejtori Sopi vlerëson se dikujt i ka konvenuar mosfunksionimi i TKK-së. Ai përmend faktin se është shkelur Ligji i Teatrit, i cili parasheh që të jenë së paku 30 aktorë.

“Ky obligim ligjor pjesërisht është plotësuar më në fund vitin e kaluar, kur MKRS ka punësuar 10 aktorë të rinj duke çuar në 24 aktorë numrin e Ansamblit Rezident. Pra, para se të vijë në TKK kjo gjeneratë e re, aty kanë qenë të punësuar vetëm rreth 10 aktorë të cilët kanë vazhduar njëlloj kontinuiteti të TPK së paraluftës, si dhe katër-pesë aktorë të ardhur mbas luftës për të cilët nuk dihet saktësisht se si janë punësuar”, tha ai.

Sipas tij prioritet do të jenë aktorët rezidentë, mirëpo TKK-ja do të mbetet një institucion i hapur për artistët nga Kosova, rajoni dhe bota.

Ndërsa Ministria e Kulturës në përgjigjen për KALLXO.com tha se nuk ka buxhet për të plotësuar numrin e aktorëve.