Naim Pira, Kryesues i Asamblesë Komunale të Vitisë. Foto: Facebook

Aktakuzë Ndaj Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Vitisë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Kryesuesit të Asamblesë komunale në Viti, Naim Pira.

Aktakuza e ngritur më 29 dhjetor 2015 e ngarkon Pirën me akuzën për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar me qëllim të përfitimit për vete ose personin tjetër.

Sipas Prokurorisë, përkundër faktit që disa asamblistë të komunës së Vitisë, gjatë vitit 2014, kanë munguar disa herë në mbledhje të kuvendit komunal, atyre u ishte paguar mëditje e rregullt, nga 125 euro për çdo seancë.

Asamblistët Vjollca Sylejmani, Visar Demiri, Majlinda Ostrogllava, Vjollca Kadolli Halili, Selvije Rexhepi, Mirlinda Sadiku dhe Nexhat Aliu u ishte paguar mëditja sikur të ishin të pranishëm në seanca sado që në periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 2014, kishin munguar në seanca të rregullta.

Sipas prokurorisë, me këto veprime, Naim Pira i ka shkaktuar dëm Komunës së Vitisë në vlerë të përgjithshme prej 1,375 euro.

Prokuroria në këto konkluzione kishte arritur duke u bazuar në të dhënat e raportit të auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Vitisë për vitin 2014, dhe më pastaj kishte autorizuar Policin e Kosovës që të fillojë hetime ndaj zyrtarëve të Komunës të cilët kanë qenë përgjegjës për menaxhimin e pagesave lidhur me mëditjet që u janë paguar asamblistëve gjatë vitit 2014.