Tryeza rreth aktivizimit për të drejtat e njeriut | Foto: KALLXO.com

Aktivizmi-Ngushtimi i Hendekut mes Partive dhe Shoqërisë

“Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut” e përkrahur nga organizata “Civil Rights Defenders” organizoi në Prishtinë një tryezë ku u fol në lidhje me efektet e aktivizimit të qytetarëve në nisma të ndryshme.

Në tryezë, aktivisti i “Nismës për Prishtinën” Krenar Shala duke konstatuar se nuk mund të kemi shoqëri demokratike pa aktivizim qytetar, foli për autobusët e rinj urbanë të Prishtinës që për më shumë se një vit ishin bërë “mollë sherri” mes qeverisë dhe Komunës së Prishtinës, derisa u zhbllokua porositja e tyre në shtator.

“Partitë politike gjithmonë mendojnë për vete e nuk mendojnë për shtetin. Ata janë kalkulues, prandaj është i domosdoshëm aktivizmi qytetar për me ngushtu hendekun mes partive politike dhe shoqërisë. Na duhet gjithmonë me ua përkujtu atyre se pse janë aty,” tha Krenar Shala.

KALLXO.com shkroi për kontratën e autobusëve të nënshkruar pas akuzave të ndërsjella dhe shtyrjeve mes pushtetit lokal dhe atij qendror.

http://kallxo.com/prishtina-nenshkruan-marreveshjen-per-autobuse/

Në tryezë, përvojën e tij personale e shfaqi aktivisti i komunitetit LGBT Lendi Mustafa që tha se prejse ka dalë haptas si transgjinor,i ka frymëzuar të tjerët që ta pranojnë veten ashtu si janë.

“Unë vazhdoj me qenë aktivist i komunitetit LGBT, por në mënyra të ndryshme, për shkak se me punu direkt me komunitetin nuk ka funksionu, edhe e kam shfrytëzu rastin me punu me një kafe e cila është gjysmë kafe gjysmë hostel dhe sa më kanë tregu komuniteti, ata vijnë aty për shkak se ndihen më rehat për shkak se unë punoj aty,” tha Lendi Mustafa.

Vullnet Krasniqi nga Insajderi foli për lëvizjen qytetare që aktivizoi publikimi në gusht e shtator i bisedave të përgjuara në këtë portal mes zyrtarëve të lartë të PDK-së dhe shtetit, mes tjerash, në lidhje me punësimet partiake në bordet e ndërmarrjeve publike.

“Pas shumë viteve monopoli në protestat që u ka taku partive politike, Insajderi e ka nxit një lëvizje qytetare e cila nuk ka pasë të bëjë me asnjë organizatë, e me asnjë parti politike, e kjo është shumë e mirë që nuk kemi pasë iniciativa që u kanë taku partive politike por u kanë taku vetë qytetarëve,” tha Krasniqi.

KALLXO.com shkroi për këto protesta.

Tryeza e sotme u organizua në kuadër të “Javës për të Drejtat e Njeriut” që filloi më 5 e do të përfundojë më 10 dhjetor.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri