Aktivistët Kroatë: Memorial për Krimet e Epokës së Tuxhmanit

Pasi Zagrebi hapi një tender për një memorial të presidentit të viteve ‘90 Franjo Tudjman, aktivistë të të drejtave të njeriut kanë kërkuar ide për një kundërmemorial për të theksuar krimet e kohës së luftës dhe korrupsionin.

NDËRLIDHUR

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut me bazë në Zagreb, YIHR, hapi një tender publik të hënën për një monument alternativ të presidentit të viteve ‘90 dhe liderit të kohës së luftës Franjo Tuxhman, duke u fokusuar në abuzimet e të drejtave të njeriut dhe rolin e Kroacisë në konfliktin në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Projekti i YIHR-së është një përgjigje ndaj një tenderi zyrtar të hapur nga ana e administratës së qytetit të Zagrebit në nëntor, i cili kërkon ide projektesh për një memorial në Sheshin “Franjo Tuxhman në kryeqytet.

YIHR-ja tha se donte të shkaktonte një debat publik duke theksuar “krimet dhe shkeljet masive të të drejtave të njeriut, sidomos ndaj minoriteteve kombëtare” nga ana e administratës së Tuxhmanit, të cilat ajo tha se ishin nxitur nga “politikat shoviniste” të partisë së tij Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.

Organizata tha gjithashtu se donte të theksonte “natyrën kriminale të pjesëmarrjes së Republikës së Kroacisë në luftën në Bosnjën dhe Hercegovinën fqinje” dhe “modelin e korruptuar të privatizimit të pronës publike” nën sundimin e Tuxhmanit.

Ajo akuzoi më tej Tuxhmanin se kishte krijuar “një regjim autoritar që shkatërroi proceset demokratike, lirinë e medias dhe lëvizjet kritike civile”.

Cilido që dëshiron të aplikojë për të krijuar një memorial të Tuxhmanit u ftua të dërgonte një skicë ose model të monumentit para 1 marsit, kur një juri do të vendosë për fituesin e tenderit dhe do të ofrojë një shpërblim prej 130 eurosh.

Projekti vjen në mes të një rritjeje të përkujtimoreve publike të Tuxhmanit, me sheshe dhe rrugë që marrin emrin e ish-Presidentit dhe monumente që ngrihen në nder të tij në të gjithë Kroacinë.

Kryetari i Bashkisë së Zagrebit, Milan Bandiq, korrikun e kaluar tha se monumenti i Tuxhmanit në Zagreb do të kushtojë rreth 1.3 milionë euro dhe “do të jetë monumenti më i madh dhe më i bukur në Kroaci”.

Sinisa Hajdas Dondiq, ministër i Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës në qeverinë në largim të krahut të majtë, tha në qershor se aeroporti “Pleso” i Zagrebit do të marrë emrin e Tuxhmanit.

Por Stipe Petrina, kryetari i bashkisë së vogël bregdetare Primosten, shkaktoi tronditje të madhe kur nuk lejoi që një rrugë të merrte emrin e ish-Presidentit në korrik të vitit 2013, duke thënë se “me plaçkitjen e procesit të privatizimit, Tuxhmani varfëroi popullin kroat dhe u shkaktoi atyre një dëm shumë të madh”.

Tuxhman ka ende miratimin e pjesës më të madhe të njerëzve në Kroaci. Sipas një ankete të kryer nga televizioni privat Nova TV në dhjetor të vitit 2014, 56 për qind e shohin atë në një mënyrë pozitive, 27 për qind në mënyrë pozitive dhe negative dhe 14 për qind e shohin atë në mënyrë negative.

Por ai mbetet një figurë kontroverse, sidomos nga ana e serbëve të Kroacisë dhe Serbia, për rolin e tij në urdhërimin e Operacionit “Stuhia” vitin 1995, i cili shkaktoi vdekjen e rreth 6000 civilëve kryesisht të moshuar serbë, ndërsa 200,000 serbë të tjerë u arratisën nga vendi.

Tuxhman lindi në vitin 1926 dhe për vite me radhë ai ishte një anëtar besnik i Lidhjes qeverisëse të Komunistëve, para se më vonë t’i bashkohej nacionalizmit kroat dhe të përfundonte në burg për bindjet e tij.

HDZ-ja u themelua në vitin 1898 dhe një vit më vonë partia fitoi zgjedhjet e para të lira të mbajtura që prej Luftës së Dytë Botërore.

Tuxhmani më pas drejtoi në rrugën drejt shpalljes së pavarësisë së Kroacisë në qershor 1991, e cila rezultoi në një luftë katërvjeçare me serbët e Kroacisë të cilët mbështeteshin nga Ushtria Jugosllave.

Ai vdiq në vitin 1999.

20 Janar 2016 - 08:31

Sven Milekiq, BIRN Zagreb 20/01/2016 - 08:31
NDËRVEPRIMI0