Aktivistët e VV-së Deklarohen të Pafajshëm, e Quajnë Politike Aktakuzën

Prokurori Abdurrahim Islami lexoi aktakuzën ndaj Atdhe Arifit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës ndërsa të akuzuarit dëgjuan të ulur.

Prokurori Islami pretendon se qëllimi i aktivistëve të Vetëvendosjes ishte pengimi i demarkacionit në Kuvend.

“Të njëjtit duke pasur për qëllim, që organet e Republikës së Kosovës, Kuvendi të detyrohet të mos ratifikojë marrëveshjen për demarkacionin dhe me këtë rast, të shkaktoj frikësim serioz të popullsisë dhe shkaktimin e ndjenjës së pasigurisë tek qytetarët e Kosovës, më datë 4 gusht 2016, rreth orës 23 e 05 nga parkingu përball Kuvendit të Kosovës me raketahedhës dore kanë kryer sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës”, tha Islami.

Këto  u kundërshtuan nga të akuzuarit që e quajtën politike aktin akuzues të prokurorisë dhe u deklaruan të pafajshëm.

“Në një vend ku me shit territor dhe me shkatërru ekonominë nuk është faj normalisht që fajtor janë ata që angazhohen për një shtet të zhvilluar. Në një shtet ku vlera janë hajnia, krimi tradhtia, fajtor je vetëm pse je student i shkëlqyeshëm dhe pse je qytetarë aktiv i republikës, bile për këtë mundesh edhe me vdekë në burg”, tha Krasniqi.

Seanca e radhës në këtë rast ku do të kundërshtohet aktakuza nga avokatët mbrojtës do të mbahet më datë 30 mars.