Shtatorja në Gjilan | Foto: KALLXO.com

Aktivistë të Shoqërisë Civile Kërcënohen në Protestën për Përmendoren

Menaxherja e Projekteve të Organizatës Jo Qeveritare, KAND, Vlorë Shabiu, rrëfeu për KALLXO.com se si u kërcënua nga ana e një grupi të qytetarëve të Gjilanit deri sa ishin duke protestuar për zhvendosjen e shtatores së Luftës Nacional- Çlirimtare “Ushtarët e Ramë”.

Sipas Shabiut kërcënimet ndaj saj dhe aktivistëve të tjerë ndodhën deri sa ajo po lexonte një deklaratë për media.

Ajo tha se përfaqësuesit e 5 organizatave të shoqërisë civile që kanë marrë pjesë në këtë protestë, kanë marrë kërcënime të ndryshme gjatë kohës së protestës.

“Përveç gazetarit të KALLXO.com, jemi kërcënuar edhe ne, aktivistët e shoqërisë civile. Përveç kësaj, në kohën kur isha duke e lexuar deklaratën një i ri ka ardhur vrullshëm në drejtim timin me qëllim që të më sulmojë. Kolegët e mi kanë reaguar dhe e kanë ndaluar me kohë”, rrëfen Shabiu.

Ajo shtoi se edhe pas këtij incidenti, kanë marrë kërcënime nga disa persona të tjerë të pranishëm në protestë.

“Vazhdimisht kemi marrë kërcënime nga disa të pranishëm ata na u drejtoheshin me pyetjet ‘ku jetoni me shpi’, ‘na kallxoni emrat e juj qe t’i kemi’…”, rrëfen tutje Vlora.

Gjilanit i Zhvendoset ‘Panorama’ Gjysmë Shekullore

Ajo tregon se rastin e ka raportuar në polici dhe nga ta po pret të identifikohen personat që e kërcënuan.

KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e policisë së rajonit të Gjilanit, Ismet Hashanin, i cili ka konfirmuar rastin.

“Po viktima ka raportuar rastin dhe është intervistuar për ngjarjen”, tha Hashani.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka përcjellë protestën e shoqërisë civile për zhvendosjen e shtatores së Luftës Nacionale- Çlirimtare “Ushtarët e Ramë”.

Gazetari i KALLXO.com Taulant Osmani përderi sa ishte duke raportuar për ngjarjen, është sulmuar, kërcënuar e fyer nga persona të panjohur.

Sipas zëdhënësit Hashani, një person është ndaluar për 48 orë nën dyshimet se ka kërcënuar gazetarin Osmani.

http://kallxo.com/identifikohen-sulmuesit-e-gazetarit-taulant-osmani/