Fatmir Limaj në gjykatë. Foto: Atdhe Mulla

Aktgjykimi për Fatmir Limajn Shpallet Sot

 

Sot në Gjykatën Themelore të Gjakovës prite të shpallet Aktgjykimi për të akuzuarin për krime lufte nga Prokuroria Speciale, zëvendëskryeministrin Fatmir Limaj.

Siç ka raportuar KALLXO.com, prokurorja e rastit, Drita Hajdari në fjalën përfundimtare  ka kërkuar dënim për përgjegjësi komanduese për Fatmir Limaj,  i cili po akuzohet për krime lufte në rastin e vrasjes së dy civilëve më 1998 në Bellanicë të Malishevës.

“Prokuroria konsideron se përgjegjësia e të akuzuarit Fatmir Limaj konsiston në përgjegjësinë e tij komanduese në raport me veprën penale – vrasjen e dy civilëve Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi me datën 2 tetor 1998 në kohën e luftës në Kosovë”, ka thënë prokurorja speciale.

Sipas prokurores Drita Hajdari, “përceptimi i gjithë fshatit dhe rrethinës ishte që Ramiz Hoxhën dhe Selman Binishin i vranë pjesëtarët e UÇK-së. Këtë çështje ata e ngritën para Naim Malokut në takimin e mbajtur pasi krimi kishte ndodhur. Mirëpo, siç doli, Naim Maloku tregoj një indiferencë totale për krimin i cili ishte i njohur në atë takim”.

Në një këndvështrim më të gjerë, prokurorja siç ka raportuar KALLXO.com, ka thënë se drejtuesit e UÇK-së nuk e kanë mbrojtur luftën gjatë këtij gjykimi.

“Në këtë gjykatore, këta eprorë të lartë ushtarakë patën mundësinë që t’i kontribuojnë drejtësisë dhe të mbrojnë imazhin e UÇK-së, mirëpo për fat të keq një gjë e tillë nuk ndodhi”, tha prokurorja në fjalën e saj përfundimtare.

Ndërsa, Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt, në fjalën e tij përfundimtare siç ka raportuar KALLXO.com, ka deklaruar se në këtë gjykim është vërtetuar pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se gjykimi ka vërtetuar se Ramiz Hoxha e Selman Binishi nuk janë vrarë si tradhtarë.

“Ky shqyrtim gjyqësor përveç që ka vërtetuar pafajësinë e z. Limaj, po ashtu ka vërtetuar edhe një fakt shumë të rëndësishëm për familjet e dëmtuara, se Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi nuk janë vrarë si kolaboracionistë dhe tradhtarë të kombit”, ka thënë avokati Rrecaj në fjalën përfundimtare.

Ndërsa, vetë i akuzuari, Fatmir Limaj, në fjalën përfundimtare ka deklaruar se nuk ka të bëjë fare me këto dy vrasje.

“Është e habitshme se si e shpjegoni teorinë e përgjegjësisë komanduese, thelbi dhe doktrina e përgjegjësisë komanduese është raporti i vartësit me eprorin”, ka thënë Fatmir Limaj.

Limaj e ka cilësuar “të paqartë” akuzën që i vihet në barrë.

“Kjo thotë për përgjegjësi komanduese. Për kënd? Për do njerëz. E kush janë ata njerëz? Nuk e dimë. E kush janë ata vrasës? Nuk e dimë. E ku janë ata njerëz? Nuk e dimë. A ka urdhër? Jo, nuk ka urdhër. E kush e bëri? Nuk e dimë kush e bëri. E kush e urdhëroi? Jo, nuk e dimë kush e urdhëroi. E qysh përgjegjësia është e tij?”, ka deklaruar Limaj.