Aktgjykimi Lirues Ndryshohet në Aktgjykim Dënues

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim dënues në procesin ndaj Shpëtim Hotit, i cili akuzohej për veprën penale vjedhje grabitqare apo vjedhje në tentativë.

Lënda ishte kthyer në rigjykim nga ish-Gjykata e Qarkut në Pejë pasi ish-Gjykata Komunale e kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarin Hoti.

Sipas aktakuzës, Shpëtim Hoti më 01.02 2011 në rrugën “Isa Grezda”, së bashku me të miturin me iniciale F.H., kishin hyrë vjedhurazi në shtëpinë e të afërmit të tij Hysni Hotit, ku e kishin gjetur vajzën e këtij të fundit, Fatmiren, të cilës ishin përpjekur t’ia mbyllin gojën me shirit ngjitës, me ç’rast kishin hasur në rezistencë.

Aktakuza vazhdon se pas rezistencës nga babai dhe e bija, Shpëtim Hoti dhe F.H., kishin ushtruar dhunë fizike, duke e qëlluar Fatmire Hotin me shufër metalike dhe Hysni Hotin duke e plagosur me thike në anën e majtë të nënsqetullës.

Pasi që të dëmtuarit kishin thirrur për ndihmë, agresorët ishin larguar në drejtim të panjohur, thekson aktakuza.

Pasi që në shkallë të parë Shpëtim Hoti ishte shpallur i pafajshëm, pas ankesës së prokurorit publik lënda ishte kthyer në rigjykim nga ish-Gjykata e Qarkut.

Dhe, dje, Gjykata e Pejës shpalli aktgjykim dënues me të cilin u shpall fajtor Shpëtim Hoti. Ndaj tij u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Mirëpo, siç duket aktgjykimi nuk e kënaqi edhe aq shumë palën e dëmtuar.

“Unë jam i kënaqur për shkak se është shpallë i fajshëm, domethënë  është vërtetuar vepra penale se ky i pandehur e ka kryer veprën penale të rrëmbimit në tentativë. Por nuk jam i kënaqur me lartësinë e dënimit”, tha Gëzim Kollçaku, avokat i Hysni Hotit.

Kollçaku shton se vepra penale është kryer me lëndime të rënda trupore dhe nuk kanë ekzistuar rrethana lehtësuese për uljen e dënimit.

“I zoti i shtëpisë dhe vajza e tij kanë qenë të dëmtuar shumë rëndë. Duke marrë parasysh se nuk ka rrethana lehtësuese për të akuzuarin, unë kam pritë nga Gjykata se një dënim shumë më të lartë”, shtoi Kollçaku.

Në fund avokati tha se shpreson në ankesën e prokurores së rastit.