Një hartë imagjinare e Ballkanit nga i ashtuquajturi "Shteti Islamik" | Foto: Facebook

Aktakuzë për Propagandë Lidhur me ISIS

Disa postime të bëra në vazhdimësi gjatë vitit 2017, i kanë kushtuar me aktakuzë të pandehurit me inicialet B.Q.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ndaj të pandehurit me inicialet B.Q.

Sipas aktakuzës i pandehuri B.Q. në vazhdimësi gjatë vitit 2017 përmes rrjetit social “Facebook” me anë të postimit të xhirimeve audio-vizuele dhe fotografive ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke i përkrahur haptazi veprimet  e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit terroriste nëpër botë, duke u bërë thirrje të gjithë myslimanëve që t’i bashkëngjiten “luftës së shenjtë” – Xhihadit.

E gjatë muajit nëntor të vitit 2017 në llogarinë e tij në “Facebook” ai ka shpërndarë fotografi kërcënuese.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, i pandehuri me këto veprime ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj”, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, nga neni 3 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-002, për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

KALLXO.com kishte raportuar ekskluzivisht lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj këtij të pandehuri.