Remzi Shala | Foto: Drejtësia në Kosovë

Aktakuzë për Krime Lufte ndaj ish- Ushtarit të UÇK-së

Një aktakuzë për krime lufte është ngritur ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala që gjatë luftës mbante nofkën “Molla e Kuqe”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në aktakuzë thuhet se Remzi Shala-“Molla e Kuqe” i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala gjatë luftës
Remzi Shala gjatë luftës

Prokuroria Speciale me aktakuzën që mban datën 19 tetor 2016 akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Në arsyetimin e tij prokurori ka theksuar se procedura penale është iniciuar nga deklarata e Agron Përteshit, të birit të të ndjerit Haxhi Përteshi, i cili është dëshmitar i asaj se çka kishte ndodhur në natën e 26 qershorit 1998 në oborrin e shtëpisë së tyre në fshatin Duhël.

Siç shkruhet në aktakuzë, prokurori  ka zhvilluar hetime edhe ndaj Bajram Qatanit lidhur me vdekjen e Haxhi Përteshit.  Por, pas përfundimit të hetimeve nuk ka gjetur prova se Bajram Qatani ka kryer veprën penale për të cilën ishte ngarkuar me aktvendimin për fillimin e hetimeve.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” ka hulumtuar në terren rastin e vdekjes së Haxhi Përteshit dhe në javët në vijim do ju sjellë të përmbledhura deklaratat e dëshmitarëve, fëmijëve të të ndjerit Haxhi Përteshi, por edhe deklaratën e të akuzuarit Remzi Shala.

“Drejtësia në Kosovë” hulumtoi në nëntor të vitit të kaluar edhe rastin e vrasjeve të Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit nga fshati Banjë të Komunës së Malishevës  më 2 tetor 1998 për të cilat Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Fatmir Limajt më 28 tetor 2016.

Pas shfaqjes së këtij emisioni Prokuroria Speciale inicioi hetime të reja për këto dy vrasje.

http://kallxo.com/hetime-te-reja-per-krime-lufte-ne-rastin-limaj/