Aktakuzë për Krime Lufte Ndaj Fatmir Limajt

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur sot aktakuzë ndaj ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj, për një rast që ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës në Malishevë.

Sipas prokurorisë, rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 02 tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UCK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj , i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje, thuhet në komunikatën e prokurorisë.

Limaj ishte marrë në pyetje në maj të këtij viti nga prokuroria për një rast të krimeve të luftës.

http://kallxo.com/limaj-dhashe-deklarate-per-nje-krim-te-kohes-se-luftes/