Aktakuzë për Krime Lufte Ndaj të Ekstraduarit nga Bosnja

Bëhet fjalë për Skender Bislimin, të cilin aktakuza e ngarkon me veprat penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile shqiptare.

I akuzuari ishte ekstraduar nga Bosnja muajin e kaluar.

“I pandehuri akuzohet për: Krime të luftës kundër popullatës civile, siç parashihet dhe dënohet në bazë të neneve 22 dhe 142 të Ligjit Penal të republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (LPRSFJ), aktualisht të ndëshkueshme në bazë të neneve 31 dhe 152 të Kodit Penal të Kosovës (KPK), në shkelje të nenit 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949, dhe në shkelje të neneve 4 dhe 5(1) të Protokollit shtesë II të datës 8 qershor 1977 të Konventave të Gjenevës të vitit 1949, të gjitha këto rregulla të së drejtës ndërkombëtare në fuqi gjatë kohës së konfliktit të armatosur të brendshëm në Kosovë dhe gjatë gjithë kohës përkatëse”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.

I akuzuari, muajin e kaluar, kur ishte ekstraduar nga Bosnja, 17 vjet pasi ka ndodhur krimi, kishte dalë para gjykatësit të procedurës paraprake.

Ai ishte arrestuar në Bosnjë-Hercegovinë në gusht të këtij viti, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Prishtinë më 13 shkurt 2013.

Pikërisht sipas kërkesës së PSRK-së, Skender Bislimi u ekstradua në Kosovë më 9 dhjetor 2016, ndërsa masa e paraburgimit prej një muaji iu caktua me aktvendimin një ditë më pas.

Sipas kërkesës për caktimin e paraburgimit, të cilën KALLXO.com e ka siguruar, Bislimi dyshohet për ngjarjet e ndodhura më 26 mars të vitit 1999 në Fushë-Kosovë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak, i cili në atë datë, te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

http://kallxo.com/paraburgim-te-dyshuarit-per-krime-lufte-ne-fushe-kosove/

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

Kërkesa për caktimin e paraburgimit përmend se njëri nga këta burra ishte Haki Bajrami, kufoma e të cilit ishte nxjerrë nga një varrezë masive në Dragodan, ndërsa trupi i tij u identifikua tek më 17 gusht të vitit 2000.

Vetë Bislimi sipas aktvendimit për caktimin e paraburgimit, në seancën e mbajtur për caktimin e masës së sigurisë ka mohuar pretendimet e prokurorit.

“Në kohën kur Prokuroria pretendon se kanë ndodhur ngjarjet unë kam qenë në Mladenova te vajza ime e jo në Fushë-Kosovë”, kishte thënë Bislimi në seancën për masën e sigurisë.

Prokurori Charles Hardaway kërkesën për caktimin e paraburgimit e arsyeton me peshën e veprës penale dhe atë se nëse Bislimi do të ishte në liri, ai do t’i ikte drejtësisë pasi që është shtetas i Serbisë.