Sami Lushtaku - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë ndaj zyrtarëve që gjuajtën me armë në odë

Dardan Gashi, Sami Lushtaku dhe Endrit Shala janë vetëm tre nga njerëzit që po akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve pasi ishin parë në një video teksa festonin në odën e Fatmir Limajt.

Prokuroria e Gjakovës ka ngritur aktakuzë për mbajtje nën kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve ndaj Ministrit të Diasporës, Dardan Gashi së bashku me  pesë persona të tjerë.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi Prokurori Ismet Tofaj i cili tregoi se aktakuza është ngritur edhe ndaj Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës.

“Është ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, gjashtë personave që janë parë duke gjujt. Është Dardan Gashi, Sami Lushtaku, Endrit Shala. Aktakuza është mbajtje nën kontroll, posedim të paautorizuar të armëve”, tha Tofaj.

Pasi në fund të vitit të kaluar, në medie u publikua videoja që u tha se është xhiruar në festën që Fatmir Limaj e organizuar në Banjë të Malishevës pas lirimit nga akuzat për krim të organizuar dhe shpërdorim detyre, policia dhe prokuroria kishin filluar hetimet.

Në video shihet që Sami Lushtaku, Dardan Gashi dhe i liruari tjetër nga akuzat Endrit Shala, gjuajnë me armë pa kontroll, vetëm duke hapur dritaret e odës ku festojnë lirimin e Limajt.

http://kallxo.com/po-hetohet-videoja-ku-lushtaku-e-gashi-shtijne-arme/