Aktakuzë Ndaj Imamëve

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës  në ditën e fundit të afatit të hetimeve ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër pesë të pandehurve:  B. R. ish-imamit në xhaminë afër Termokosit në Prishtinë, I. B. hoxhës nga Prizreni, E. G. kryeimamit nga Peja, M. M. imamit nga Prizreni dhe të pandehurit F. R.

Sipas aktakuzës, të pandehurit: B. R. dhe I. B. me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale shtytje për kryerjen e veprave terroriste.

Të pandehurit E. G.  dhe M.  M. po ashtu sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit, kombëtar, racor, fetar apo etnik.

F.  R.  aktakuza e ngarkon me kryerjen e veprës penale thirrje për rezistencë.

Ndaj të pandehurve të tjerë të përfshirë në këtë çështje penale, në mungesë të provave është marrë aktvendim për pushimin e hetimeve.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit.

Të shtunën KALLXO.com shkroi se prokurorisë i mbetet vetëm një javë afat për të ngritur aktakuzë ose pushuar hetimet ndaj imamëve.

Hetimi ndaj tyre kishte nisur në shtator 2014, kur kishin ndodhur edhe arrestime të imamëve tash të akuzuar.

http://kallxo.com/prokuroria-edhe-nje-jave-afat-per-hetimin-e-imameve/