Safete Tolaj. Foto: Kallxo.com

Aktakuzë ndaj Gjykatëses pas Hulumtimeve të ‘Drejtësia në Kosovë’

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurës Safete Tolaj për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Asgjësim apo fshehja materialit arkivor” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.

Aktakuza vjen 10 muaj pasi emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte publikuar hulumtimin rreth një rasti të dyshuar të ryshfetit në të cilin ishte përfshirë ajo dhe djali i saj, Fisniku, ndaj të cilit gjithashtu është ngritur aktzakuzë për vepra penale “Mashtrim”, “Ushtrim i ndikimit”, “Falsifikm i dokumenteve” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe kundër të pandehurit G.Sh. për vepër penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës e pandehura në Gjykatën Themelore në Pejë dega në Deçan, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin përkatësisht për të pandehurin F.T. keqpërdor autoritetin zyrtar në atë mënyrë që, pasi ajo më 02.01.2017, e kishte caktuar paraburgimin për një të pandehur, derisa i pandehuri Fisnik Tolaj dhe G.Sh. ishin takuar dhe ky i fundit duke shfrytëzuar detyrën zyrtare tejkalon kompetencat e tij dhe i jap shumën prej 1.900 euro të pandehurit Fisnik Tolaj për të ndikuar tek e pandehura Safete Tolaj e cila më pas më 10.01.2017 masën e paraburgimit e zëvendëson me masën e dorzanisë.

Gjithashtu, e pandehura Tolaj deri më 13.01.2017 ka fshehur materialet arkivore të Gjykatës Themelore në Pejë dega në Deçan, ashtu që në shtëpinë e të njëjtës janë gjetur dosje origjinale të kësaj gjykate e të cilat e kishin vendin në arkivin e gjykatës.

Gjithashtu e pandehura Safete Tolaj deri më 13.01.2017 në gjykatën e lartcekur i ka mundësuar të pandehurit Fisnik Tolaj përpilimin e dokumenteve dhe shkresave zyrtare ashtu që, i pandehuri F.T. duke shfrytëzuar pozitën e të pandehurës dhe me dijeninë e saj përdor vulën dhe shkresat zyrtare në të cilat fut përmbajtje të rreme.

Të lartcekurit me veprimet e tyre, kanë kryer veprat penale të përshkruara sikur më lartë, për çka prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të njëjtit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.

KALLXO.com e ka përcjellë në vazhdimësi këtë rast.