Aktakuzë Ndaj Ekrem Hoxhës e Lulzim Kurtajt të ART-së

Një tender për Qendrën nacionale të Monitorimit të Radiospektrit i ka nxjerrë punë me drejtësinë ish kreut të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë kundër Hoxhës dhe një të dyshuari tjetër Lulzim Kurtaj, ish anëtar i Bordit të kësaj agjencie, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit ngarkohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare me rastin e përzgjedhjes së operatorit ekonomik në tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit”, ku përkundër faktit që ky tender ishte kthyer në rivlerësim dhe ART-ja ishte gjobitur në vlerë prej 30.000.00 euro për shkak të shkeljeve të Ligjit të Prokurimit Publik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit OSHP, të pandehurit nuk e kishin përfillur vendimin e OSHP-së dhe përsëri e kishin shpallur fitues të këtij tenderi operatorin e njëjtë ekonomik.

“Prokurorja e rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpall fajtor dhe t’i dënojë sipas ligjit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.