Ilustrim

Aktakuzë Ndaj Dy Personave për Mbi 55 Kg Drogë

Gjithsej 55.6 kilogramë drogë të llojit marihuanë u janë gjetur të akuzuarve në veturën e tipit “Audi A4” gjatë një kontrolli të Policisë në fshatin Lluzhan të Podujevës më 31 tetor 2016.

Në aktakuzën, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se në momentin e ndaljes së veturës të cilën ishte duke e vozitur i akuzuari A.B. mbrapa ulëseve janë gjetur dhe sekuestruar 3 valixhe dhe dy thasë najloni të mbushura me substancën e dyshuar si marihuanë.

Gjatë kësaj kohe, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari E.C. kishte qenë duke e pritur të akuzuarin A.B. për ta shpërndarë substancën narkotike.

Pas ekzaminimit të substancës bimore me ngjyrë të gjelbër/kafe, të gjetur në veturën e të akuzuarit A.B., ka rezultuar të jetë i llojit kanabis (marihuanë), e cila përmban tetrahidrokanabinol (THC).

Po ashtu, gjatë ekzaminimit janë gjetur edhe gjurmët e të akuzuarit të tretë, A.G., por i njëjti gjendet në arrati.

A.B. dhe E.C., së bashku me të akuzuarin A.G., ngarkohen nga Prokuroria për veprën penale blerja, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.