Bujar Hasani, ish-drejtor komunal i Urbanizmit në Prizren. Foto: Kallxo.com

Aktakuzë Ndaj Drejtorit të Inspektoratit në Prizren

Bujar Hasani po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare si Drejtor i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Drejtorit të Inspeksionit dhe dy inspektorëve komunal me inicialet E.B dhe F.I nën dyshimet se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare duke krijuar dobi për dy të akuzuar tjerë, A.O dhe B.B

Sipas aktakuzës, Hasani nuk ka ekzekutuar një vendim të datës 12.12.2016 kundër B.B., dhe A.O., të cilët kishin vendosur objekte të përkohshme në pronën shoqërore me të drejtë shfrytëzimi të Agjencionit pyjor të Kosovës.

Ndërsa inspektorët komunalë sipas prokurorisë përveç procesverbaleve dhe vendimeve të inspektimit që kanë lëshuar prej vitit 2013, kanë zvarritur nxjerrjen e konkluzionit për ekzekutim të detyrueshëm.

Prokuroria gjithashtu ka ngritur aktakuzë ndaj B.B  për veprën penale “uzurpimi i pa ligjshëm i pronës së paluajtshëm”.

Ndërkaq akuzuari i pestë A.O., akuzohet për veprën penale “vetëgjyqësia” .

Kjo është aktakuza e dytë e Hasanit pasiqë i njëjti ishte akuzuar për keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, si dhe uzurpimit të paligjshëm të pronës së paluajtshme pas një hulumtimi të KALLXO.com

KALLXO.com, në një hulumtim të bërë më 7 prill 2017, raportoi se drejtori i Inspektoratit Bujar Hasani, nuk ka vepruar ndaj lokalit të tij, e as ndaj lokaleve tjera që ndodhen në këtë zonë të mbrojtur me ligj.

Ndryshe, Bujar Hasani, i akuzuar për të dytën herë,   është drejtori i nëntë i Komunës së Prizrenit ndaj të cilit është ngritur aktakuzë

Deri më tani, me aktakuzë janë përballur edhe tetë drejtorë të tjerë të qeverisjes së kryetarit Ramadan Muja, i akuzuar po ashtu dhe dënuar në shkallën e parë.

Ramadan Muja është akuzuar dhe dënuar në shkallën e parë për katër pika të aktakuzës për keqpërdorim të pozitës zyrtare me dy vjet burg me kusht dhe ndalim ushtrimi i funksioneve publike për 30 muaj.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për të gjitha aktakuzat e ngritura ndaj drejtorëve komunalë të Prizrenit.

http://kallxo.com/gjnk/aktakuze-edhe-ndaj-nje-drejtori-te-komunes-se-prizrenit/