Foto-ilustrim

Aktakuzë Kundër Zyrtares Komunale Rreth Tenderit për Ekskursionin

Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ngritur aktakuzë kundër zyrtares së Komunës së Gjakovës, Teuta Vokshi, dhe Agron Lleshit, përfaqësues i prindërve të maturantëve të Gjimnazit “Hajdar Dushi”.

Aktakuza, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ka të bëjë me përzgjedhjen e kompanisë për transportimin dhe akomodimin e 521 maturantëve të Gjimnazit “Hajdar Dushi” në kuadër të ekskursionit në Shqipëri.

Sipas aktakuzës që mban datën 16.1.2017, e pandehura Teuta Vokshi si person zyrtar (udhëheqëse e sektorit të arsimit pranë Drejtorisë Komunale të Arsimit në Gjakovë), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për vete ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që duke qenë në komisionin për përzgjedhjen e firmës së autobusëve për ekskursion ka përzgjedhur kompaninë më të shtrenjtë se kompania tjetër konkurruese.

“Me këtë, ajo ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzë.

Duke qenë anëtar i komisionit në tenderin për përzgjedhjen e firmës për transportimin dhe akomodimin e 521 maturantëve, i pandehuri Agron Lleshi akuzohet se nuk i ka përmbushur detyrimet ose ka keqpërdorur autorizimet e tij me qëllim që vetes t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme, me ç’rast i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm kompanisë që kishte ofruar çmim më të lirë dhe më të mirë.

“Me çka ka kryer veprën penale keqpërdorim i besimit”, thuhet në aktakuzë.

E kontaktuar nga KALLXO.com, Teuta Vokshi tha se nuk është në dijeni se ndaj saj është ngritur aktakuzë.

“Nuk jam në ngjarje që është ngritë akuzë ndaj meje. Mua nuk më ka njoftu askush. Edhe pse për herë të parë po dëgjoj nga ju këtu nuk ka asnjë bazë ligjore sepse operatori është zgjedhur me pëlqimin e prindërve”, tha Vokshi.

I kontaktuar përmes telefonit, edhe Agron Lleshi tha se nuk është në dijeni për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Gjakovës.

“Unë nuk jam në dijeni për asnjë aktakuzë. Por nuk i frikësohem aspak kësaj aktakuze pasi që këtu nuk ka të bëjë asgjë me paranë publike. Unë e kam pasur pëlqimin e prindërve për ta zgjedhur agjencinë në fjalë, e cila ka qenë pak më e shtrenjtë në çmim por që ka ofru kushte shumë më të mira”, tha Lleshi për KALLXO.com.

Sipas tij, oferta e agjencisë turistike e cila ka qenë më e lirë akomodimin e ka pasë më të dobët, duke i ndarë maturantët në disa objekte, në distanca të largëta e shumë gjëra të tjera.

“Secili kujdestar i klasës ka mbajtë mbledhje me prindërit e klasës së tij. Të gjithë prindërit kemi vendosë me marrë një agjenci e cila ka qenë më e mirë për fëmijët tanë, aty e kam pasë edhe djalin tim. Pas ekskursionit të gjithë kanë qenë të kënaqur. Asnjë ankesë nuk ka qenë as nga prindërit as nga nxënësit”, tha Lleshi.

Sipas aktakuzës, ekskursioni në fjalë është realizuar në mes të datave 2.5.2016 dhe 7.5.2016.

Tenderin për ekskursion e kishte fituar kompania “Shpat Turs”, e cila për një maturant kishte kërkuar 105 euro, e kompania konkurruese “Meti Comerc” kishte ofruar çmim prej 90 euro për person.

KALLXO.com raportoi edhe për dyshimet për kurdisje të tenderit për ekskursion të maturantëve të Suharekës. Tenderi qe anuluar.

http://kallxo.com/hoteli-bonita-zene-anulohet-ekskursioni/

Akuza e dyshime për dallavere me tenderin për ekskursionin e maturantëve pati edhe në Pejë.

http://kallxo.com/ekskursioni-shtrenjte-maturanteve-te-pejes/