Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Aktakuzë e Prokurorisë për Kërcënimin me Jetë të Gazetarit

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës njofton sot se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet M. B. Për kërcënimin me jetë që ai dyshohet se i bëri gazetrit të KTV-së Kushtrim Kadriu në korrik të këtij viti.

Në aktakuzën që sipas AGK-së e ka pranuar gazetari Kushtrim Kadriu, përshkruhet kërcënimi që iu bë atij me telefon në redaksi nga i akuzuari.

“Edhe nëse një herë ai gazetari i juaj (Kushtrim Kadriu) si çoban apo bari çka është ai, ku e keni gjetur, merret me këtë rast, thuaj se do ta rrezikon kokën e vet”, përshkruhet në aktakuzë kërcënimi i të akuzuarit ndaj gazetarit.

Ky kërcënim, sipas aktakuzës, “tek i dëmtuari ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetë”.

M. B. akuzohet për kanosje, ndërsa Asociacioni i Gazetarëve tregon se për cilin rast është kërcënuar gazetari.

“Kolegu Kushtrim Kadriu ishte kërcënuar pasi kishte raportuar për rastin e Mihrije Berishes e cila kërkonte nga gjykata që pas vdekjes së bashkëshortit t’i njihej pjesa e shtëpisë ku jeton”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

Asociacioni i Gazetarëve në fund njofton se do ta monitorojë deri në shpalljen e vendimit të gjykatës aktakuzën e ngritur për kërcënim të Kushtrim Kadriut.

Dje emisioni “Drejtësia në Kosovë” u mor pikërisht me dhunën ndaj gazetarëve, duke sjellë rrëfimin e Behar Mustafës dhe Vehbi Kajtazit për sulmet ndaj tyre.

http://kallxo.com/rrefimet-e-gazetareve-qe-u-sulmuan-ne-pike-te-dites/

Të dhënat e Policisë tregojnë se gjatë periudhës janar-15 tetor të këtij viti janë raportuar 23 raste të ndryshme prej gazetarëve. Rastet sipas Policisë janë të ndryshme, duke përfshirë ngacmimin, ndërhyrjet në sistemet kompjuterike, lëndimet trupore, kanosjet e raste të tjera.