Gjykimi i çështjes Apex | Foto: KALLXO.com

Aktakuza e Parregullt- Apeli Pushon Ndjekjen Penale në Rastin ‘Apex’

Gjykata e Apelit të Kosovës ka pranuar kundërshtimet e të akuzuarve të rastit të njohur si  “APEX” dhe ka hedhur poshtë këtë aktakuzë me arsyetimin se është e palejueshme dhe e parregullt.

KALLXO.com ekskluzivisht ju sjell vendimin e Gjykatës së Apelit,  sipas të cilit  Arben dhe Astrit Krasniqi, Arben Neziri, Avni Morina, Mujë Berisha, Gani Zekiraj, Kushtrim Hakaj, Ilir Morina, dhe Luan Halilaj nuk do të vazhdojnë të ndiqen penalisht.

Lidhur me Rastin “APEX” hetimi kishte filluar më 6 mars 2013.

Prokurori i EULEX-it kishte kërkuar një vazhdim prej 6 muajsh, mirëpo ishte refuzuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, i cili vendim u vërtetua më pas edhe në ankesë.

Prokurori duke qenë në dijeni se afati për përfundim të hetimeve po afrohej, kërkoi edhe një herë vazhdim të hetimeve për vetëm një muaj, vetëm sa për të ngritur aktakuzën, por pasi që kjo kërkesë ishte aprovuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, ishte prishur nga Gjykata e Apelit e cila çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

Apeli ka gjetur se aktakuza ishte ngritur pas afatit dyvjeçar të hetimeve që parashihet me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

Avokatët e të akuzuarve vazhdimisht kanë kontestuar aktakuzën duke e cilësuar si të pasafatshme, ndërsa kjo lëndë ka kaluar nëpër të gjitha instancat e drejtësisë në Kosovë.

Të gjithë të akuzuarit e rastit ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjyqtarja e EULEX-it Katrien Witteman e kishte hedhur poshtë aktakuzën në dhjetor të vitit 2015, por më pas çështja kishte shkuar në Gjykatën e Apelit që Rsstin “Apex” e kishte kthyer në rivendosje.

Çështja pastaj shkoi në Gjykatën Supreme, e cila i hapi rrugë rinisjes së procesit gjyqësor në gjykatën themelore.

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzonte Arben e Astrit Krasniqin, Armend Nezirin, Mujë Berishën, Gani Zeqirin, Kushtrim Hakajn, Luan Halilin, Agron Hoxhën, Ilir Morinën dhe Avni Morinën për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim.

“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta”, thuhet në aktakuzë e hedhur nga Apeli.

KALLXO.com e ka ndjekur vazhdimisht këtë proces gjyqësor ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.