Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli

AKR: Rrezikojmë të Humbim Gjithçka

Aleanca Kosova e Re ka kërkuar maturi dhe veprime në koordinim me aleatët e Kosovës pas nismës së 43 deputetëve për të shfuqizuar Ligjin për Dhomat e Specializuara.

“Në këto momente të rëndësishme dhe në këtë situatë të ndjeshme, i ftojmë të gjithë që të tregojmë maturi dhe të jemi të përgjegjshëm, ngase është në pyetje fati i Kosovës”, thuhet në komunikatën e AKR-së.

Ky subjekt politik, pjesë e qeverisjes kërkon që veprimet të koordinohen me aleatët.

“Raportet e Kosovës me aleatët e përhershëm nuk duhet të sfidohen asnjëherë. E kaluara na dëshmon se çdo veprim i pakoordinuar me ta, i ka kushtuar shume vendit dhe të ardhmes sonë”, thotë AKR-ja.

Ajo kërkon që të merren seriozisht fjalët e ShBA-së.

“Paralajmërimet e SHBA-ve që lëvizjet e fundit politike rreth shfuqizimit të dhomave të specializuara, janë thika pas shpine për aleatin tonë historik, duhet të trajtohen seriozisht në funksion të një të ardhme të sigurt për shtetin dhe shoqërinë tonë”, vijon reagimi i AKR-së.

AKR-ja konstaton se nëse nuk veprohet kështu, po rrezikohet shumë.

“Në të kundërt mund të rrezikojmë të humbim gjithçka që kemi investuar në ndërtimin e shtetit tonë”, thuhet në komunikatë.

AKR-ja është e bindur se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e tillë do të dalë edhe pas Gjykatës Speciale.

“Lufta jonë për liri ka qenë e pastër dhe ne nuk i frikësohemi askujt, prandaj jemi të bindur se edhe kjo Gjykatë do ta dëshmojë pastërtinë dhe misionin liridashës të kësaj lufte”, përfundon reagimi i AKR-së.

Dje Kryesia e Kuvendit nuk pati dy herë kuorum për të vendosur rreth seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa këtë nismë e dënuan ashpër ambasadorët e ShBA-së dhe Britanisë së Madhe.