AKR e Paqartë rreth Marrëveshjes së Mundshme me PAN-in

Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Agim Bahtiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se AKR ka marrë vendim gjatë ditës së djeshme që të mos i bashkohet koalicionit të PAN-it për krijimin e institucioneve.

“Jju informoj se AKR-ja mbrëmë ka marrë vendim që mos të bëjë koalicion me PAN-in”, ka shkruar Bahtiri në Facebook

Mirëpo nënkryetarja tjetër e AKR-së, Albena Reshitaj tha për KALLXO.com se nuk është diskutuar për këtë çështje gjatë ditës së djeshme.

Sipas saj, AKR-jka që disa ditë ka qenë duke u marrë më zgjedhjet lokale.

“Verdikti që është dhënë nga kryesia, nuk u është dhënë personalisht vetëm Presidentit Pacolli, por u është dhënë edhe 3 deputetëve të tjerë dhe kryesisë së ngushtë. Kështu që nuk kemi marrë asnjë vendim se më kë do të shkojmë e si do të shkojmë. Absolutisht nuk është bërë asnjë marrëveshje, nuk është marrë asnjë vendim, jemi duke u marrë me zgjedhjet lokale edhe nuk e besoj që do të ketë diçka këto ditë”, tha Reshitaj për KALLXO.com.

Ndërsa deputeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Islam Pacolli tha se AKR-ja s’ka marrë “kësi vendime” për të mos pasur koalicion me PAN-in.

“S’ka kësi vendime”, tha Pacolli për KALLXO.com.

Mirëpo kur u ballafaqua me deklaratën e nënkryetarit Bahtiri, Pacolli pati tjetër deklaratë.

“Ai është nënkryetar i partisë dhe e ka fjalën e vet dhe ne jemi në një linjë me të dhe nuk kemi ndryshime. Qashtu qysh e ka thonë Agimi, qashtu është”, tha Pacolli për KALLXO.com.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe me deputetin tjetër të AKR-së, Labinot Tahirin, por ai nuk u është përgjigjur thirrjeve.

Ditë më parë Kryesia e AKR-së kishte autorizuar deputetët dhe listën e ngushtë të saj që të gjejnë zgjidhje edhe jashtë koalicionit LDK-AKR-Alternativa.