Selia e AKP-së - Foto: KALLXO.com

AKP Tregon Edhe Sa Prona Janë të Uzurpuara

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë” transmetoi hulumtimin, i cili edhe një herë dëshmoi pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj gjatë shfrytëzimit të pronave të privatizuar në Kosovë.

Patrick Fluder, një bashkatdhetar i yni nga Zvicra, i cili ka privatizuar një lokal në Mitrovicë, nuk po mund ta shfrytëzojë nga frika që mos po ndodh ndonjë e keqe në mes tij dhe ish-qiraxhinjve të atij lokali.

Dy vjet më parë, Kadri Veseli dhe kryeprokurori i vendit, Aleksandër Lumezi, patën dalë në konferencë për media dhe patën deklaruar se investitorët në Kosovë të cilët kanë investuar në privatizim do jenë të sigurt dhe nuk do të pengohen nga askush.

Nga këto deklarata kanë kaluar dy vite por gjendja në terren ende nuk ka ndryshuar rrënjësisht.

Jo të gjitha pronat janë liruar dhe jo të gjithë mund t’i shfrytëzojnë ato lirshëm.

Emisioni i fundit “Drejtësia në Kosovë“ edhe një herë dëshmoi pengesat që u bëhen investitorëve nga diaspora dhe atyre të huaj gjatë shfrytëzimit të pronave të privatizuara.

Po ashtu, emisioni trajtoi mosreagimin e institucioneve për të garantuar siguri për investitorët.

Dëshmitë e mbledhura nga “Drejtësia në Kosovë“ tregojnë për shantazhe e kërcënime të njerëzve që thirren në emër të vlerave të luftës për njerëzit të cilët dëshirojnë të investojnë në këtë vend.

Qindra prona shoqërore janë mbajtur të uzurpuara nga paslufta nge figura të lidhura me politikën e krimin e organizuar.

Procesi i privatizimit kishte shkuar me shumë probleme ndërsa investitorët me vite të tëra nuk kishin arritur t’i gëzonin pronat e blera.

Dy vite më parë në një prononcim publik kryeprokurori i vendit Aleksandër Lumezi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli ishin zotuar se pronat do liroheshin.

Nga ato deklarata veprime konkrete ishin pasuar mbi 200 prona të uzurpuara ishin liruar nga uzurpatorët në një aksion të gjerë të policisë.

Por të dhënat nga terreni tregojnë se aksioni nuk i ka arritur të gjitha caqet.

“Drejtësia në Kosovë” kishte kërkuar përgjigje nga Prokuroria e shtetit për të ditur se sa aktakuza janë ngritur apo edhe sa kanë përfunduar mirëpo zyra për informim e  këtij institucioni nuk ka kthyer përgjigje.

Veton Hajdini nga Agjencia Kosovare e Privatizimit thotë se nga 217 uzurpime sa kanë qenë në vitin 2015 sot AKP-ja ka të uzurpuara vetëm 22 asete e që shumica e tyre janë në veriun e Kosovës.

“AKP vazhdon me lirimin e aseteve të uzurpuara dhe nga një evidentim i vitit 2015 kur ishin të renditura rreth 217 asete të uzurpuara tani flasim vetëm për 22 raste dhe të cilat kryesisht janë në veriun e Mitrovicës që akoma nuk kemi arritur marrëveshje për qiramarrje”, tha Hajdini.

Emisionin e plotë “Drejtësia në Kosovë” mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: