AKA mbetet pjesë e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë

Asambleja e Përgjithshme e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), ka diskutuar sot lidhur me anëtarësinë e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA), në këtë organizatë, dhe ka marrë vendim për t’i dhënë besimin e plotë AKA-së, për të vazhduar punën e saj si anëtare në ENQA.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, Shyqiri Bytyqi përmes një statusi në Facebook ka bërë të ditur për vendimin e marrë nga ENQA.

Ai i’a atriboi këtë sukses përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA).

“Puna dhe angazhimi që kemi bërë pas rekomandimeve të Kuvendit, së bashku me të gjithë akterët, dashamirë të arsimit të lartë dhe arsimit në përgjithësi, duke rregulluar në mënyrën më të mirë të mundshme procedurat dhe kriteret për të përzgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC), përmes një Udhëzimi Administrativ…ka bërë që ENQA të marrë vendimin që AKA të jetë në kuadër të saj”, shkroi Bytyqi.

Ai tha se është do të jetë i angazhuar në mbështetje të AKA-së por duke e lënë të pavarur.

“Unë si ministër i MAShT, jam shumë i përkushtuar për të mbështetur AKA-në, në punën e saj të pavarur dhe profesionale, dhe për të qenë pjesë e organizatave ndërkombëtare, e që janë në të mirë të arsimit të lartë në Kosovë”, përfundoi ai.

“Në shkurt të këtij viti një organizatë ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte  përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

http://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/