AKA i Gëzohet Ruajtjes së Anëtarësisë në ENQA

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka siguruar vazhdimësinë e anëtarësisë së saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA).

Ky vendim është marrë sot nga Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s, e cila ka diskutuar lidhur me anëtarësinë e AKA-së në këtë organizatë.

Në një komunikatë për media, AKA ka thënë se arritjet e kësaj agjencie ishin vlerësuar ndërkombëtarisht.

“Përfaqësues të AKA-së me sukses kanë mbrojtur dhe përfaqësuar institucionin e tyre para Asamblesë së ENQA-s, të arriturat e saj viteve të fundit, hapat e ndërmarrë për përmirësimin e cilësisë në arsimin e lartë si dhe sfidat me të cilat është përballur ajo. Të arriturat dhe angazhimi i AKA-së, janë vlerësuar edhe nga të pranishmit, agjencitë tjera evropiane, anëtare të ENQA-s, të cilat e kanë mbështetur angazhimin dhe misionin e AKA-së si dhe pavarësinë e saj. Puna dhe përformanca e AKA-së, ka bërë ENQA të mos marrë vendim për largimin e AKA-së në këtë organizatë”, thuhet në njoftim.

Ata po ashtu sqaruan arsyen pse u vu në shqyrtim anëtarësia e AKA-së në ENQA.

“Asambleja e Përgjithshme e ENQA-s e ka mbështetur propozimin e Bordit të saj për vendosjen e AKA-së si “anëtare në shqyrtim”, për shkak të vlerësimit të jashtëm që AKA duhet ti nënshtrohet një vit para skadimit të anëtarësisë së saj, statusi i anëtarësisë së cilës në ENQA është deri në vitin 2019”.

AKA siguroi se do mbetet e përkushtuar për të qenë pjesë e organizatave dhe strukturave evropiane e ndërkombëtare të cilësisë.

“Në shkurt të këtij viti një organizatë ndërkombëtare, ‘European Quality Assurance Register for Higher Education’ (EQAR), e kishte  përjashtuar Agjencinë Kosovare të Akreditimit nga anëtarësia për shkak të shkarkimit të bordit të kësaj agjencie që ishte bërë me kërkesë të Kryeministrit, Ramush Haradinaj.

http://kallxo.com/agjencia-kosovare-e-akreditimit-perjashtohet-nga-nje-organizate-nderkombetare/